“Jo, nuk ishte paraja që ai koprrac vlerësonte aq shumë; as në tërbimin e tij të verbër, nuk kërkonte hakmarrje. Atë që donte vërtet ju do ta zbuloni, në qoftë se do të keni forcën dhe kurajën ta ndiqni historinë e tij deri në fund, deri në çastin kur vdekja e ndërpreu…”
Foleja e nepërkave është shembulli më i lartë i artit të Mauriacut. Në të gjithë letërsinë mund të gjenden pak hulumtime më të frikshme të një shpirti të gërryer nga krenaria, koprracia dhe urrejtja. Tema e këtij romani të jashtëzakonshëm është më emocionuesja në botë – beteja për një shpirt njerëzor.
Lui, personazh qëndror i këtij romani, personifikon të keqen. Ai është shumë i pasur, por mjerisht i palumtur. Nga fundi i jetës, duke kërkuar të zbulojë shkakun e kësaj palumturie, hedh në letër gjithë historinë e tij të hidhur: një fëmijëri e përmbytur nga dashuria e pafund e së ëmës, por e zbrazur nga çdo dashuri tjetër… dashuria për Izën që ia shkriu zemrën e ngrirë… keqkuptimi banal që i helmoi jetën martesore dhe atë të të bijve… lufta e koprracit plak për t’i hequr të drejtën e trashëgimisë familjes dhe fundi kulmor…
Magjia e këtij libri qëndron në talentin e jashtëzakonshëm të shkrimtarit për të parë poshtë asaj që duket – shumë poshtë, në thellësi të shpirtit, ku ekziston vetja jonë më e thellë, ku ndodh beteja e së mirës dhe së keqes, ku vendoset fati i përjetshëm i njeriut.
“Ky botim i ri i Folesë së nepërkave është një dhuratë. Romani përshtatet më së miri me situatën bashkëkohore, me një urtësi dhe vitalitet që e kapërcen epokën e tij.”
Matthew A. Rothaus Moser, Loyola University Maryland
“Me udhëtimin e tij të mrekullueshëm narrativ dhe shqyrtimin e përpiktë të zemrës së njeriut, Foleja e nepërkave mbetet një nga romanet më të mëdha të të gjitha kohërave.”
Timothy O’Malley