Bonavia është afresku i mbarë shoqërisë postjugosllave në kërkim të një identiteti të ri në rravgimin midis së shkuarës së anatemuar, së tashmes problematike dhe së ardhmes së pasigurt.
Në të gjallojnë një galeri personazhesh komplekse, të cilat enden si somnambul në një realitet që ngjan mes ëndrrës dhe zhgjëndrrës, që përfton përmasa fantazmagorike. Jeta është një këmishë force në çfarëdolloj dimensioni që enden personazhet: Beograd, Zemun, Vjenë, Boston, Kaliforni; ndërsa vdekja krijon atë ekuilibër, që jeta është e pazonja t’u ofrojë të gjallëve në endjen e tyre.
Romani i Dragan Velikiçit është një lojë pasqyrash për të gjithë ne që jetojmë në këtë gadishull të kontinentit të vjetër, qofshim serbë, shqiptarë, boshnjakë, kroatë, malazezë etj. Në mënyrë paradoksale të ndarë në ngjashmëritë tona dhe të përbashkuar në mllefet e mëritë që na ndajnë e përçajnë.
Është pikërisht ky dimension mbarëballkanik, që e bën këtë libër të rrugëtojë në vendet tona dhe që personazhet të flasin natyrshëm sa serbisht, kroatisht, boshnjakisht dhe, së fundi, edhe shqip.