a di të fërshëllesh Jonana

A di të fërshëllesh Johana?

A di të fërshëllesh Johana?
Autor: Ulf Stark
Përktheu: Sokol Demaku
52 faqe
cmimi i kopertinës 500 lekë
ISBN 978-9928-217-40-0

A di të fërshëllesh, Johana? është historia e veçantë e djaloshit Berra, i cili nuk ka gjysh dhe krejt papritur vendos të shkojë një ditë në shtëpinë e të moshuarve, së bashku me shokun e pandarë, Ulfin. Aty takon Nilsin, gjyshin ideal, dhe që të tre bëhen miq të ngushtë.

Me ilustrime të jashtëzakonshme nga Anna Höglund, A di të fërshëllesh, Johana? është një libër interesant e prekës, klasik në shumë vende, një dëshmi e lidhjes mes brezit të ri dhe brezit të vjetër.

Rreth autorit

Ulf Stark

Ulf Stark

Ulf Gottfrid Stark (1944, Stureby, Stokholm), një nga shkrimtarët më të shquar suedezë, anëtar i Akademisë Suedeze për Librat për Fëmijë. Ai ka shkruar më tepër se tridhjetë vepra, libra me ilustrime, skenarë e romane për të rinj, dhe është përkthyer në njëzet e pesë gjuhë. I nominuar dy herë për çmimin më të madh letrar Andersen, fitues i Çmimit Nordik për Librat për Fëmijë dhe i çmimeve të rëndësishme letrare në Suedi, Gjermani dhe Holandë. Disa libra të tij janë ekranizuar e vlerësuar me çmime kinematografike, si Emmy etj.

Rreth përkthyesit

Sokol Demaku lindi më 1954, në Drenicë, Kosovë. Shkollën e mesme pedagogjike e kreu në Prishtinë. Përfundoi studimet e larta për Gjuhë dhe Letërsi në Universitetin e Prishtinës, më 1977. Nga viti 1977 deri më 1984 ka qenë mësues në Kosovë dhe nga viti 2005 deri më 2008 ka qenë mësues ndihmës dhe mësues i gjuhës amtare në komunën e Boråsit, Suedi. Në vitin 2009 u diplomua për mësuesi në Universitetin e Göteborgut. Në vitin 2010 kreu studimet për pedagogji speciale në shkollën e lartë në Borås. Nga 2010 është mësues në Fjärdingskolan Borås. Në periudhën 2001-2004 ka punuar gazetar në një gazetë për rininë në gjuhën suedeze. Prej vitit 2007 është gazetar për gjuhën shqipe në programet internacionale të radio Sveriges. Prej gati dhjetë vjetësh drejton revistën e përmuajshme në gjuhën shqipe Dituria që del në Suedi, si dhe radio Dituria. Sokol Demaku është pedagog, publicist, shkrimtar dhe përkthyes. Anëtar i kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Krijues Shqiptarë në Suedi, dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Suedisë, nga viti 2012. Përkthyes i shumë veprave nga suedishtja në shqip dhe nga shqipja në suedisht, si: Djali dhe Tirgri (Pojken och Tigern-övers), Lars Westman; Gjueti diamantesh (Diamantjakten-översättning), Mats Wänblad; Drita (Ljuset-översättning), Torgu Lindgren; Gjithë çka më kujtohet (Allt jag inte minns) dhe Do të thërras vëllezërit e mi (Jag ringer mina bröder), Jonas Hassen Khemiri.