Blogu

sot.com.al – Shkrim nga përkthyesja Albana Shala: Një udhëtim prej gati 700 faqesh për botën, jetën dhe vdekjen në një mënyrë madhështore, ashtu si vetëm pena e Jamal Ouariachit di ta bëjë

Një shkrim i shkurtër, por shumë interesant dhe poetik i përkthyeses Albana Shala, shkruar si parathënie për librin URIA.
#jamalouariachi
#albanashala
#creativeEurope

https://sot.com.al/kultura/nje-udhetim-prej-gati-700-faqesh-per-boten-jeten-dhe-vdekjen-ne-nje-meny

Është darkë vonë. Edhe pak dhe mbaroj me përkthimin e romanit “Uria” të J. Ouariachit. Gjithë bota ku sillen personazhet e librit të tij është aq e njohur dhe aq e dashur për mua. Amsterdami fle. Ashtu si Aurelia, personazh kryesor në roman, edhe unë jam endur për shume vite tashmë rrugëve të qytetit në këmbë e me biçiklete nga shtëpia në pune, nga puna në kopsht e në shkollën e fëmijëve, në pazar, në kinemanë Kriterion, në universitet, në disko, në klub, në park. Ashtu si edhe personazhi tjetër, Aleksandri, edhe unë punoj me një organizatë që ndihmon vendet në zhvillim. Dhe deri këtu jeta e tyre nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Lind, rritesh, shkollohesh, martohesh, lind fëmijë, u gëzohesh, shpreson të plakesh me dinjitet dhe i shëndetshëm në një vend ku mbizotëron paqja dhe harmonia, në një vend plot mirëqenie, që frymon liri dhe tolerancë. Historia e dhimbshme e botës në zhvillim, luftërat, konfliktet, diktaturat, mungesat, dhuna dhe uria, nuk janë dhe nuk ka përse të jenë edhe historia jote. Atje individi është një numër, këtu gjithçka sillet rreth individit, zgjedhjes së tij të lirë. Ndërkohë që shkruaj këta rreshta, anija e policisë së portit kalon buzë dritareve të apartamentit tim, që sheh mbi lumit IJ. Jetoj në katin e dytë dhe sytë tanë takohen. Natën e mirë, sikur më përshëndesin ata. Shko fli, boll ndenje zgjuar, nata është jona. Ji e qetë. Ji e sigurt. Gjërat janë nën kontroll. Dhe kështu është, kështu duhet të jetë. Por deri në çastin “kur të rrëshqet këmba”, siç ngjet me Aleksandrin. Deri në çastin kur, pa dashje, zgjon demonët e urrejtjes, të zemërimit popullor, zgjon zilinë dhe babëzinë. Atëherë turma, opinioni, shoqëria, qytetaria, komuniteti (pa ty), media, ah media, të gjithë të vihen kundër. Asnjëri nuk të dëgjon, as të beson. Aq më tepër kur luhet me më të pafajshmit – fëmijët. Kafshatë që s’kapërdihet për shoqërinë, të luash me ndjenjat e sigurinë e tyre. Je i mbaruar. Je i dënuar. Je vetëm. Edhe vajza që e doje me shpirt, nuk është më pranë teje. Je aq vetëm, sa mund të rrish me ditë të tëra pa e hapur gojën, jo vetëm në burg por edhe jashtë tij. Mund të qelbesh i vdekur në shtëpinë tënde dhe askush nuk do ta ndiejë mungesën tënde. Sepse ty të është vënë viza. As nuk bëhet fjalë për mëshirë ndaj teje. Mëshira është për botën në zhvillim. Për ata zezakët e vegjël me sytë ku gëlojnë mizat e barkun e kanë bosh. Ata zezakët që ti i more dhe na i solle këtu që t’i bëje njerëz. Çfarë hipokrizie! Kjo është dilema e Aleksandër Laszlos. Të hapë gojën, të flasë, të rrëfejë, të shkaktojë më shumë indinjatë, të mbrojë mendimin e lirë? Apo të rrijë gojëkyçur e të mbajë “kryqin” mbi shpinë? Si humanist, si erudit, si kokëfortë, si njeri që do të ketë dinjitet, ai zgjedh fjalën, ai zgjedh debatin dhe në këtë mënyrë edhe konfrontimin. Duke dashur të lajë hesapet me ata që e gjykuan, ai i vë një pasqyrë shoqërisë, qytetarisë, turmës. A nuk po luan me zjarrin? A nuk po e ekzagjeron? Çfarë ndodh? Për këtë duhet të lexoni librin dhe të ndiqni në labirintin e jetës këta dy personazhe që dashurohen në kohë urie. Urie? Po, po urie, në Etiopi. Atje filloi. Anija e portit kaloi përsëri përpara dritareve të shtëpisë sime. Ka filluar të zbardhë. Sot janë bërë katër javë që, si miliona njerëz nëpër botë, jam ngujuar në shtëpi për shkak të pandemisë së Covid 19. Ndoshta botët tona me dhe pa uri, me dhe pa Covid 19, me dhe pa demokraci e liri, nuk janë aq larg njëra-tjetrës. Historitë tona aq sa janë të përveçme, janë pjesë të së tërës. Histori dashurie për jetën të ndërthura aq bukur në këtë roman, i cili mendoj e ka merituar të vijë edhe te lexuesi në shqip. Lexim të mbarë!

* Reflektim i përkthyeses Albana Shala për romanin “Uria”