Ana Bolena. Një çështje familjare
Pas “Sallës së ujqërve”, një roman që tregon origjinën e Anglisë moderne përmes syve të Tomas Kromuellit, kësaj figure kaq të diskutuar, kjo pjesë e dytë e veprës që u kushtohet Tudorëve, nis më 1535, kur Sekretari i Shtetit i Henrit VIII është në kulmin e pushtetit. Fati i tij ka shkuar përkrah atij të Ana Bolenës, bashkëshortes së dytë të mbretit, për hir të së cilës mbreti i dha fund marrëdhënies me Kishën e Romës dhe themeloi Kishën Anglikane. Por politika e Oborrit mbretëror e shtyn Anglinë në një izolim të rrezikshëm dhe Ana nuk e mban dot premtimin: ajo nuk i jep mbretit një djalë që do të siguronte trashëgiminë e Tudorëve. Kurora është e dobët dhe kur Kromuelli e ndihmon mbretin për t’u afruar e për të krijuar një marrëdhënie dashurie me Xhejn Sejmurin e qetë dhe të tërhequr, fundi i martesës me Ana Bolenën është i sigurt. Ndërsa i çel rrugën mbretit përmes skandaleve seksuale të oborrit, Sekretarit të Shtetit i duhet të merret edhe me versionin zyrtar të komplotit të Anës, për të kënaqur Henrin, por edhe me sigurimin e karrierës së tij, për të ruajtur përgjithmonë pushtetin dhe kurorën. Por askush, as Tomasi, as vetë sunduesi nuk do të dalin të pacenuar nga teatri tragjik i ditëve të fundit të jetës së Anës, mbretëreshës, e cila shkon përpara trekëmbëshit me guxim dhe solemnitet, duke përmbytur në gjak historinë angleze.
Ana Bolena, një çështje familjare është një afresk i fuqishëm historik, emocionues dhe aventuresk dhe një dëshmi shumë e lartë letrare që na rikthen në të kaluarën në ngjyrat e saj më të gjalla dhe e bën atë vitale.
Rreth përkthyesit

Ledia Dushi
Ledia Dushi lindi më 1978 në Shkodër. Kreu shkollën e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka” Shkodër. Studimet e larta më 1996-2000 në degën Gjuhë shqipe dhe Letërsi në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër. Më 2010 përfundoi studimet MA, ndërsa në vitin 2016 përfundoi studimet doktorale pranë Qendrës Ndëruniversitare të Studimeve Albanologjike në Tiranë. Në periudhën 2002-2007 drejtore e Kulturës dhe Rinisë në Bashkinë e Shkodrës; më 2007-2009, lektore e letërsisë shqipe në Universitetin e Beogradit dhe më 2009-2011 këshilltare pranë kabinetit të kryetarit të Bashkisë, në Tiranë. Në vitet 2012-2015 ka qenë mësuese e letërsisë në shkolla të mesme të Shkodrës dhe të Tiranës. Aktualisht është pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës. Njohëse shumë e mirë e gjuhës angleze, gjuhës italiane dhe spanjolle. Nga viti 2001 deri në vitin 2004 ka kryer një sërë trajnimesh në fushë të kulturës në universitetet italiane, si Universiteti i Bolonjës, Universiteti i Romës, Universiteti i Firences etj. Ledia Dushi është autore e tri vëllimeve poetike: Me mujt me fjet... me kthimin e shpendve; Seancë dimnash dhe Ave Maria bahet lot. Është përkthyese e një sërë veprave letrare, si: Varreza e Pragës dhe Numri zero, nga Umberto Eco; Loja e engjëllit dhe Marina, nga Carlos Ruiz Zafón; Një e shtunë me miqtë, nga Andrea Camilleri; Ema, nga Jane Austen; Shembja e burrit, nga Sandro Veronesi; Pavdekësia dhe ese të tjera, nga Jorge Luis Borges etj. Fituese e Çmimit letrar të Ministrisë së Kulturës, “Pena e argjendtë” për librin me poezi “Ave Maria bahet lot”, më 1997. Pjesëmarrëse në aktivitete letrare ndërkombëtare, si në Panairin e Librit, Leipzig, 2011; në Panairin e Librit, Frankfurt, 2006; në Javën e Letërsisë Shqipe në Salzburg, 2003; “Struga Poetry Evenings”, 2000. Bursë si poete në Graz, Austri 2005; Bursë si poete në Literarisches Colloqium Berlin, 2004.