Dru qershie dhe ndjenja të vjetra
E përkthyer në 10 gjuhë të Europës, Dru qershie dhe ndjenja të vjetra, rrëfen për një grua që kërkon mbështetje, në një botë plot probleme. Dhe i duhet të përballet me të shkuarën e saj, të ndrydhur për një kohë të gjatë, si dhe me kujtesën e copëzuar, nëse vërtet do të jetojë të sotmen.
Heroina e librit, Arjeta Filipo, mund të ndahet prej shumë gjërave, por jo prej tryezës së gjyshes. Tani ajo është ulur pranë saj, nga të paktat sende që i kanë mbetur si trashëgim nga e kaluara, në banesën e re në Berlin dhe ka përhapur fotografitë që i ranë në dorë gjatë shpërnguljes. Kujtimet zgjohen, sikur druri i qershisë së tryezës t’i rrëfejë të gjitha historitë, dëshmitare e të cilave ka qenë në rrjedhën e viteve.
Aty janë qyteti i rrethuar dhe Istria, deti i fëmijërisë dhe i rinisë, arratia në fillim të viteve ‘90 që ndryshoi gjithçka. Por aty është edhe koha në Paris, ku kish studiuar dhe filluar një jetë të re, në një gjuhë të re, bashkë me Arikun, piktorin, me të cilin u dashurua kundër vullnetit të saj. Misha Vajsband, ornitolog, bëhet i besuari i saj, Nadeshda, fizikane – shoqja e saj më e ngushtë. Dy gratë i lidh një e fshehtë, që për vite të tëra vetëm Ariku e di. Vetëm kur të dyja përballen me pikat e errëta të së shkuarës brenda vetes, e gjejnë rrugën për tek e vërteta.
Rreth përkthyesit
Edvin Cami
Njohës i mirë i gjermanishtes, i anglishtes, i italishtes, i frëngjishtes e i turqishtes dhe përkthyes i shumë librave. Siddharta nga H. Hesse, “Moisiu i Mikelanxhelos” nga S. Freud; tregime e novela nga H. von Hoffmannsthal, H. Mann, G. Benn, J. Roth, K. Valentin, R. Musil etj. Është bashkëpërkthyes i vëllimit poetik Kann keine Trauer sein (Nuk mund të jetë zi), nga G. Benn. Kontribues në vëllimin dygjuhësh (shqip - gjermanisht) “Përrallë dimri - ABC e përkthimit letrar”; Ein Wintermärchen - Kleine Fibel der literarischen Übersetzung”, me ese e artikuj teorikë mbi përkthimin letrar, përshkrim përvojash, dhe përkthime poezie e proze. Nga italishtja: “Gruaja leopard” nga A. Moravia, si dhe “Kronika e Tursun Beut”. Nga anglishtja: “Perandoria Osmane. Periudha klasike 1300-1600” nga H. Inalcik; bashkëpërkthim “Historia e Perandorisë Osmane dhe e Turqisë moderne” nga S. Show etj.. Autor i monografisë “Gëtja mes Perëndimit dhe misticizmit oriental”, i një numri artikujsh në revista shkencore etj.. Fitues i çmimit të parë për përkthimin në shqip të poetit gjerman G. Benn, më 1998 nga shoqata kulturore gjermano-shqiptare “Robert Schwartz”.