Salla e ujqërve
Një roman i jashtëzakonshëm, një libër me sfond historik Anglinë e fillimit të vitit 1520, një hap larg katastrofës. Nëse ndodh që mbreti vdes pa një trashëgimtar mashkull, vendi mund të shkatërrohet nga lufta civile. Henri VIII përpiqet të anulojë martesën e tij njëzetvjeçare dhe të martohet me Ana Bolenën, por Papa dhe pjesa më e madhe e mbretërve të Europës i kundërvihen. Në këtë ngërç futet Tomas Kromuelli: njeri origjinal, magjepsës dhe pragmatist, idealist dhe oportunist, i mprehtë për të kuptuar njerëzit, demon energjie, një politikan i përkryer, i paepur në ambicien e tij.
Arkitekt makiavelist i mbretërisë së Henrit VIII dhe autor i fateve të dinastisë së Tudorëve, ky protagonist i romanit të shumëvlerësuar të Hilari Mantelit përshkruhet në të gjithë kompleksitetin: një njeri që vjen nga asgjëja – mercenar në Francë, bankier në Firence, tregtar tekstili në Antverp. Në saje të cilësive të tij intelektuale do të jetë në gjendje të thyejë rregullat e rrepta të shoqërisë angleze dhe t’i shërbejë mbretit për të marrë divorcin nga Katerina e Aragonit, duke i dhënë kështu një drejtim të ri edhe historisë së Kishës së Anglisë. Por Henri është i paqëndrueshëm: një ditë i butë, ditën tjetër vrasës. Kromuelli e ndihmon t’i thyejë kundërshtarët, por cili do të jetë çmimi i triumfit të tij?
Në stilin e vet të paimitueshëm, Hilari Manteli paraqet një pamje të një shoqërie në prag të ndryshimit, ku individët e luftojnë ose e përqafojnë fatin e tyre me pasion dhe kuraj. Një epokë kur fatet personale dhe politike ndahen nga një fije floku, kur suksesi sjell pushtet të pakufizuar, por një dështim i vetëm është baras me vdekje.
Rreth përkthyesit

Kujtim Ymeri
Kujtim Ymeri lindi më 1947 në Tiranë. Kreu shkollën e mesme në Tiranë më 1965, studimet e larta për gjuhë shqipe dhe letërsi në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, Universiteti i Tiranës, më 1969. Në vitet 1970-1972 punoi si gazetar në Radiotelevizionin Shqiptar, më 1972-1975 pedagog me kohë të plotë (1975-1978, me kohë të pjesshme) i letërsisë së huaj bashkëkohore në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë; nga 1978-1990 bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Studimeve M-L. Gjatë viteve 1991-1993 zëdhënës për shtypin në Këshillin e Ministrave; 1994-1997 redaktor në Shtëpinë Botuese DITURIA; 1992-1998 anëtar i Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar; në vitet 1997-2000 - Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Stamboll dhe deri më 2012 në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Drejtorinë e Shtypit dhe Akademinë Diplomatike. Nga viti 2012 është përkthyes i lirë. Njohës i disa gjuhëve të huaja, si: anglisht, italisht, rusisht, Kujtim Ymeri është përkthyes i shumë veprave letrare, historike e filozofike. Përmendim: Një hero i kohës sonë, M. Lermontov; Përballë detit, D. Vogel; Në lulen e moshës, S. Y. Agnon; Majat e Shalës, R. W. Lane; Gjuha e harruar, E. Fromm; Europa Lindore Qendrore midis dy luftërave botërore, J. Rothschild; Magjistratura në demokracitë bashkëkohore, Carlo Guanieri&Patrizia Pederzoli; Ç’është demokracia?, G. Sartori; Bota që krijoi Amerika, R. Kagan; Bizantinët, A. Cameron; Europa Juglindore nën sundimin osman, 1354-1804, P. F. Sugar; Shqipëria: Ngritja e një mbretërie, J. Swire; Konservatorizmi: Ëndrra dhe realiteti, R. Nisbet; Përse nuk jam i krishterë, B. Russell; Politikat krahasuese: Popujt dhe teoritë në ndryshimin e botës, L. C. Maye; Orientimi seksual: një e drejtë njerëzore. Një ese për Ligjin Ndërkombëtar të të Drejtave të Njeriut, E. Heinze; Lindja e Europës, R. S. Lopez; Historia e Spanjës, F. G. de Cortázar & J. M. G. Vesga; Luftërat ballkanike, E. Ivetic; Historia e Rusisë, E. V. Anisimov; Dita e opriçnjikut, Vladimir Sorokin; Historia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, M. C. Carnes & J. A. Garraty; Historia e Kanadasë, D. Morton etj.