Virgjëresha holandeze
Virgjëresha holandeze
Autore: Marente de Moor
Përktheu: Albana Shala
284 faqe
Çmimi 800 lekë
Në verën e vitit 1936, Zhaku, një mjek holandez e dërgon të bijën tetëmbëdhjetëvjeçare, Janën, të qëndrojë në shtëpinë e gjermanit Egon Fon Boetigerit, një mik i tij i rinisë. Mjeshtër i skermës, Egon Fon Boetigeri, i kalon ditët në një shtëpi fshati, ku organizon ndeshje të ndaluara skerme me studentë. Ai do të ndihmojë Janën të përsosë aftësitë në këtë sport të dashur për të. Por Jana bie në dashuri me Egonin, tërheqës, joshës dhe për më tepër misterioz.
Një histori për dashurinë dhe humbjen e pafajësisë? Virgjëresha holandeze është shumë më tepër se sa kaq. Rinia e të atit, e vërteta e marrëdhënies së tij me Egonin në një kohë të largët, gjatë Luftës së Parë Botërore, rrugëtimi i Janës drejt rritjes janë përvoja kontradiktore dhe çoroditëse. Kodi aristokrat i nderit, me nocionin e vet të kurajës dhe heroizmit, nuk ka më vlerë. Nazistët janë te porta: bota po ndryshon: një periudhë barbarie nis. De Moor risjell atmosferën e trazuar të një epoke si një pikë kyç në histori, duke përshkruar me nota të gjalla pasiguritë dhe tensionet që i paraprinë Luftës së Dytë Botërore.
#Storytellingthelife
#EUPL
#CreativeEurope
Rreth përkthyesit
Albana Shala
Albana Shala, përkthyese e romanit "Virgjëresha holandeze", lindi në Shkodër më 1968. Shkollën e mesme e përfundoi më 1986 në Tiranë. Në vitin 1990 përfundoi studimet për Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës. Më 1995 studioi për të Drejtën Ndërkombëtare në Institutin e Studimeve Shoqërore (ISS) në Hagë, Holandë, dhe më pas, më 1997, po në këtë institut mori master në Politikat e Zhvillimit. Në vitet 1999-2001 ndoqi programin e mësimit të gjuhës holandeze në Universitetin e Amsterdamit. Në vitet 1990-1992 punoi si redaktore në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori” në Tiranë. Nga viti 1992 deri në vitin 1994 ishte asistente e programit të UNDP për Shqipërinë. Më 1998-2011 ishte koordinatore programi në fondacionin “Pres Now” në Amsterdam, Holandë. Prej vitit 2011 është koordinatore programi në “Free Press Unlimited”, fondacion holandez që mbështet mediat e pavarura në zona konflikti dhe në vendet në zhvillim. Albana Shala prej nëntorit të vitit 2014, për dy mandate rradhazi, është zgjedhur në krye të bordit të IPDC (Programit Ndërkombëtar të Zhvillimit të Komunikacionit) të UNESCO-s. Në vitin 2010 mori pjesë në International Writing Program Residency, në Universitetin e Iowa-s, në ShBA. Në vitin 2011 ishte në grupin e autorëve, pёrfaqёsues të Shqipёrisё, nё Panairin e Librit në Leipzig, Gjermani. Në vitin 2015 ishte “shkrimtare në residencë’ në Graz, Austri. Albana Shala është autore e disa librave. Në shqip: Papa dixhital, 2008, fitues i çmimit Migjeni nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë më 2009; Parajsa është e portokalltë, më 2010; Ngarkesa e fëmijës, më 2013. Në holandisht e gjermanisht: ‘De digitale Paus’ 2009. Tregime, poezi e shkrime në përmbledhje: ‘Oost Blok Boek: een reis langs de sporen van het communistische verleden’; ‘Een dansje in de regen; ‘Ablak’, ‘Literatur und Kritiek’, ‘Lichtungen’. #Storytellingthelife #EUPL #CreativeEurope