1940. Europa tronditet nga Lufta e Dytë Botërore, qindra mijëra hebrenj kërkojnë strehim nga furia naziste në ato pak vende që janë ende neutrale. Kur Bashkimi Sovjetik pushton Lituaninë, refugjatët që kishin gjetur azil atje e që nuk kishin më asnjë mundësi shpëtimi, u mblodhën masivisht në portat e konsullatave të ndryshme, me shpresën për të marrë një vizë. Në atë vit, holandezi Jan Zvartendajku, drejtor i degës së Philipsit në Lituani, emërohet konsull nderi në Kaunas, kryeqyteti i vendit. Po çfarë nënkuptonte saktësisht për një biznesmen të bëhej konsull nderi? “Pothuajse asgjë,” i thanë. “Ndoshta do t’ju duhet të nënshkruani disa copa letre.” Por falë tij mijëra hebrenj gjetën shpëtimin. Ai nënshkroi vizat për largimin e tyre dhe garantoi hapjen e rrugës së fundit drejt lirisë: hekurudha transiberiane për në Japoni dhe më pas Curaçao, një ishull holandez në Karaibe. Duke gjurmuar në burime të përpikta, me përkushtim dhe dëshmi të drejtpërdrejta nga familjet e të mbijetuarve, Jan Brokkeni rrëfen me hollësi një nga operacionet më të jashtëzakonshme të shpëtimit në histori, duke rindërtuar me një prozë dinamike e magnetike dhjetë ditët që Jan Zvartendajku pati në dispozicion për të shpëtuar sa më shumë jetë. Dhjetë ditë e dhjetë net aktiviteti të ethshëm për të përfunduar një mision që më vonë ra në harresë të çuditshme, por që u siguroi lirinë më shumë se tetë mijë hebrenjve.
Në vitin 1997, Jan Zvartendajkut iu dha, pas vdekjes, titulli i nderit “Të Drejtët mes Kombeve”.
Jan Zvartendajku ishte njeri i rezervuar. Atij nuk i pëlqente roli i heroit. Si të gjithë, në ato ditë, edhe ai kishte frikë. Por dhuna dhe urrejtja shtoheshin gjithnjë e më shumë dhe atëherë ai nuk bëri sikur nuk shihte, nuk kërkoi justifikime, por mori vendimet e duhura. Kështu veproi edhe Sugihara.
Ky është një libër për shpresën. Në vitin 1940, konsulli Jan Zvartendajk u tha vajzës së tij trembëdhjetëvjeçare dhe djalit të tij njëmbëdhjetëvjeçar për refugjatët hebrenj: “Duhet të bëj diçka. Nëse nuk e bëj, këta njerëz do të shkojnë drejt vdekjes së sigurt”. Ai ishte i vendosur të bënte diçka. Kjo i preku dhe u bëri shumë përshtypje fëmijëve të tij, siç na prek edhe ne të rriturit e shekullit njëzet e një.
Jan Brokken