eBook

Kopshti prej qelqi

Autori: Tatiana Țîbuleac

Kategoria: Botime për të rritur, Letërsi e huaj 

Përkthyes: Maniela Sota

Viti i botimit: 2021 

Numri i faqeve: 200 

Çmimi: 640 lekë

Përshkrimi:

Kishinjev, Moldavi. Lastoçika e vogël birësohet nga mbledhësja e shisheve Tamara Pavlovna. Lastoçika shkon në shkollë, mëson rusisht, edhe pse parapëlqen gjuhën e saj, dhe ndëshkohet nga e ëma kur nuk e flet siç duhet rusishten. Ajo mëson të lajë shishe, por edhe të vjedhë apo të refuzojë kërkesat e burrave tepër këmbëngulës… Fqinjët e saj bëhen familja e saj e re dhe i japin pak nga mirësia e tyre. Por plagët nuk zhduken dhe pyetjet e mundojnë. “Kopshti prej qelqi” është një roman intim për traumat e fëmijërisë, kërkimin e vetvetes dhe identitetit në një mjedis shumëkulturor dhe dygjuhësh. E parë përmes syve të një fëmije, historia tregohet me ndjeshmërinë, brishtësinë,  ashpërsinë dhe empatinë e moshës. Fëmijëria e saj i ngjason shumë lodrës aq të dëshiruar nga Lastoçika – kaleidoskopit – të cilin e gjeti në rrotat e një makine dhe që dukej i plotë, megjithëse ishte i thyer brenda. Por “Kopshti prej qelqi” është edhe një letër imagjinare nga Lastoçika, e rritur tashmë, për prindërit e saj. Dhimbja prej braktisjes, mungesa e dashurisë dhe butësia amësore janë plagë që nuk shërohen.

Pafundësi

Autori: Maša Kolanović

Kategoria: Botime për të rritur, Letërsi e huaj 

Përkthyes: Xhelal Fejza

Viti i botimit: 2021 

Numri i faqeve: 196

Çmimi: 640 lekë

Përshkrimi:

Nëpërmjet këtij vëllimi me tregime autorja synon të na rrëfejë për absurditetin e ekzistencës, lidhur ngushtë me kapitalizmin e pamëshirshëm, ku protagonistët përpiqen të ruajnë dinjitetin e tyre. Ka dymbëdhjetë histori me një sërë temash mbërthyese. Një teze e moshuar që i druhet varrosjes për së gjalli, vendos të marrë celularin e saj në varr dhe u kërkon familjarëve t’i telefonojnë një ditë pas funeralit. Një tregimtare i lexon bashkëshortit në prag të vdekjes dhe një ish-drejtori të një dyqani, slogane reklamash nga katalogu i IKEA-s. Një vajzë, nëna e së cilës ndërron jetë prej kancerit të zorrës së trashë, hap gardërobën e së ëmës dhe gjen aty “ditarin e shpenzimeve” të saj pa fre në eBay, si një mënyrë për të hequr mendjen nga diagnoza e pamëshirshme. Një baba i moshuar e gjen veten në duart e një operatori telefonik, me të cilin ka firmosur në mënyrë të pandërgjegjshme një kontratë të pafavorshme, dhe fillon të marrë fatura të majme sepse nuk ia thotë nga teknologjia. Një fëmijë u kërkon prindërve t’i blejnë të njëjtën kukull që ka parë në një dokumentar për Çernobilin. Në të dymbëdhjetë historitë, që të bëjnë të mendosh, jeta dhe vdekja ndërthuren me njëra-tjetrën, bashkë me të qeshura, lot në sy dhe një komb në fyt.

Mutacionet

Autori: Francis Kirps

Kategoria: Botime për të rritur, Letërsi e huaj 

Përkthyes: Edvin Cami

Viti i botimit: 2021 

Numri i faqeve: 164

Çmimi: 640 lekë

Përshkrimi:

Vëllimin Mutacionet, një përmbledhje mbresëlënëse prej shtatë tregimesh dhe një poezi, Francis Kirps e ka ndërtuar në bazë të lidhjeve ndërtekstuale me vepra të shkrimtarëve të njohur të letërsisë botërore. Këto rrëfime të fuqishme, të shpalosura me shkathtësi, shndërrohen kështu në histori të reja, të pavarura, të bartura tërësisht me zërin dhe fuqinë imagjinare të Francis Kirpsit. Kështu, miza e shtëpisë Leon Sumsa zgjohet një mëngjes e shndërruar në një “vertebror të përbindshëm”, domethënë në një qenie njerëzore, çka të sjell ndër mend Metamorfozën e Kafkës. Luani i satirës së Kurt Tucholskyt (Luani është lëshuar) kthehet te Kirpsi në një ari polar që shëtit nëpër Berlin. Modeli i statujës së Venerës së ishullit të Prosper Merimesë punon si skllave në një “ndërmarrje” të lashtë romake, e ngritur mbi paralele mbresëlënëse me botën e punës në ditët tona. Anekdota nga lufta e fundit prusiane, e Heinrich von Kleistit, zhvendoset në të ardhmen, teksa katër njerëzit e fundit janë në luftë me njëri-tjetrin. Ndërsa Thirrja e ariut të madh e Ingeborg Bachmannit ndërthuret me mitin e Ktulhuit të Lovecraftit, për të krijuar një frymë poetike si ajo e Gottfried Bennit.

Ankthi i portierit para penalltisë

Autori: Peter Handke 

Kategoria: Botime për të rritur, Letërsi e huaj 

Përkthyes: Jonila Godole 

Viti i botimit: 2021 

Numri i faqeve: 144

Çmimi: 640 lekë

Përshkrimi:

I pushuar befas nga puna në kantier, ish-portieri i futbollit, Jozef Bloh, fillon të endet rrugëve të Vjenës: shkon në treg, kinema, stadium, pastaj kërkon një dhomë hoteli për natën. Shqisat e tij janë në përgjim, gjithçka e shqetëson. Ai kërkon me dëshpërim një njeri me të cilin të flasë, përpiqet t’u telefonojë të njohurve, pa gjetur askënd. Bredhjet e tij vazhdojnë derisa takon një grua të gatshme të kalojë natën me të. Por pastaj e vret, pa asnjë motiv. Ankthi që e mbërthen pas vrasjes është i njëjtë me atë që ndiente kur, si portier, përgatitej të priste një penallti. Përpiqet atëherë të arratiset drejt kufirit, duke u ndier i spiunuar, gjah për të tjerët, dyshues ndaj të gjithëve, në përpjekje për të parashikuar lëvizjet e kundërshtarit…

Një nga tekstet më domethënëse të Peter Handkes, një thriller i tensionuar dhe anormal, me një stil narrativ tejet origjinal.

E çmendun, e çmendun, e çmendun dashunie për ty

Autori: Alda Merini 

Kategoria: Botime për të rritur, Letërsi e huaj 

Përkthyes: Ledia Dushi 

Viti i botimit: 2021 

Numri i faqeve: 95

Çmimi: 480 lekë

 

Përshkrimi:

“Një përmbledhje poezish, në vazhdën e përmbledhjes me poezi të poetit të madh francez, Prévert “Kjo dashuri”. Poezi për t’u lexuar, për t’u recituar, për t’u kopjuar, për t’u dhënë si dhuratë: për të gjithë të rinjtë që, falë një libri, mund të shprehin ndjenjat e tyre më të thella dhe më komplekse. Poezia, dashuria dhe çmenduria futen njëkohësisht në jetën e poetes Alda Merini, një stuhi që e përmbysi, në adoleshencë, deri kur ajo arrin të fitojë mbi të, me forcën e fjalës. Ndërkohë që tregon për vitet e kaluara në spitalin psikiatrik, ajo padit përvojën më të dhimbshme: urdhrin që i jep mjeku që të mos dashurohet.

Në poezitë e Alda Merinit dashuria, më shumë se një temë dominuese, është shpirti që përshkon vargjet, është mekanizmi që vë në lëvizje fjalët. Objekt i dashurisë është gjithçka që mund të nxisë tek ajo një “ngacmim përrallor të mendjes”, një “mrekulli abstrakte”; që tejkalon çdo përkufizim kohor e hapësinor. Dashuria, ashtu si poezia, është e patjetërsueshme, e pakorruptueshme edhe nga të qenit e dëmshme, është kundërhelmi më i mundshëm i çmendurisë.

“Nuk është poezia ajo që të çmend, por rrethanat e jetës; jo çdo i çmendur është edhe poet”.

Përmasa e katërt

Autori: Janis Ricos

Kategoria: Botime për të rritur, Letërsi e huaj

Përkthyes: Romeo Çollaku

Viti i botimit: 2021 

Numri i faqeve: 216

Çmimi: 800 lekë

Përshkrimi:

Poemat e përmbledhjes Përmasa e katërt, Janis Ricos i shkroi nga viti 1956 deri në vitin 1975, një hark kohor ky që përmendet si periudha më e begatë e krijimtarisë së tij. Të gjitha poemat zhvillohen në trajtë monologu teatral, me karakter narrativ, në varg të lirë dhe me fjalor të thjeshtë e, ndonjëherë, antilirik. Atyre u paraprin një hyrje si udhëzim skenik dhe mbyllen me një epilog, gjithashtu në prozë. Nëpërmjet personazhesh legjendare, të nxjerra nga cikli i atridëve apo ai i Luftës së Trojës, Janis Ricos flet për vetminë, për dashurinë e humbur, për plakjen e trupit, për përplasjet që ndodhin brenda ndërgjegjes së individit si autor veprash sociale, për kujtesën vetjake dhe për atë historike. Rrëfyesi i secilës poemë i drejtohet një personazhi tjetër, memec, i cili është vazhdimisht i pranishëm në skenë, dëgjon, por nuk përgjigjet. Përmasa e katërt, që i jep titullin librit, është, sipas vetë poetit, koha, jo thjesht koha biologjike që rrënon, shkatërron dhe e shpie njeriun drejt vdekjes, por kryesisht koha historike, e cila e shkundullon protagonistin dhe e detyron të luftojë me të shkuarën dhe të ardhmen, në mënyrë që, duke shqyrtuar veprat e veta, të shpjegojë shkaqet që i shtyjnë drejt rrënimit shpirtëror.