Të bëja një përmbledhje për Ritakim të Panjohurish, më është dukur një detyrë më e vështirë sesa shkrimi i të gjithë historisë. Natyrisht, mund të shpalosja këtu, ashtu përciptazi, ngjarjet dhe personazhet, rrugicat e Tiranës të mbështjella nga errësira e tymi. Por unë vetë nuk kam zgjedhur kurrë një libër, e shtyrë nga përmbledhja. Unë lexoj një frazë, ndoshta dy, dhe, shoh nëse ato pak fjalë mjaftojnë për të më ngjallur kërshëri. Besoj se mes këtyre rreshtave, ti, që ke marrë në duar këtë libër, do të ritakosh shumë të panjohur, copëzat e të cilëve fshihen tashmë brenda teje. Ndaj, të ftoj ta hapësh librin në një faqe çfarëdo, ta fillosh me një fjali. Vendos ti nëse do që kjo histori të bëhet edhe jotja.
Çdo gjë që të duhet të dish për “Rean shkrimtare”, gjendet brenda faqeve të këtij libri. Tekefundit, unë shkruaj për të të ngërthyer mendje e shpirt.