Albana Shala, përkthyese e romanit “Virgjëresha holandeze”, lindi në Shkodër më 1968. Shkollën e mesme e përfundoi më 1986 në Tiranë. Në vitin 1990 përfundoi studimet për Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës. Më 1995 studioi për të Drejtën Ndërkombëtare në Institutin e Studimeve Shoqërore (ISS) në Hagë, Holandë, dhe më pas, më 1997, po në këtë institut mori master në Politikat e Zhvillimit. Në vitet 1999-2001 ndoqi programin e mësimit të gjuhës holandeze në Universitetin e Amsterdamit.
Në vitet 1990-1992 punoi si redaktore në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori” në Tiranë. Nga viti 1992 deri në vitin 1994 ishte asistente e programit të UNDP për Shqipërinë. Më 1998-2011 ishte koordinatore programi në fondacionin “Pres Now” në Amsterdam, Holandë. Prej vitit 2011 është koordinatore programi në “Free Press Unlimited”, fondacion holandez që mbështet mediat e pavarura në zona konflikti dhe në vendet në zhvillim. Albana Shala prej nëntorit të vitit 2014, për dy mandate rradhazi, është zgjedhur në krye të bordit të IPDC (Programit Ndërkombëtar të Zhvillimit të Komunikacionit) të UNESCO-s. Në vitin 2010 mori pjesë në International Writing Program Residency, në Universitetin e Iowa-s, në ShBA. Në vitin 2011 ishte në grupin e autorëve, pёrfaqёsues të Shqipёrisё, nё Panairin e Librit në Leipzig, Gjermani. Në vitin 2015 ishte “shkrimtare në residencë’ në Graz, Austri.
Albana Shala është autore e disa librave. Në shqip: Papa dixhital, 2008, fitues i çmimit Migjeni nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë më 2009; Parajsa është e portokalltë, më 2010; Ngarkesa e fëmijës, më 2013.
Në holandisht e gjermanisht: ‘De digitale Paus’ 2009. Tregime, poezi e shkrime në përmbledhje: ‘Oost Blok Boek: een reis langs de sporen van het communistische verleden’; ‘Een dansje in de regen; ‘Ablak’, ‘Literatur und Kritiek’, ‘Lichtungen’.
#Storytellingthelife
#EUPL
#CreativeEurope