Diana Kastrati kreu studimet e larta për gjuhë dhe kulturë italiane në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, më 1989. Më pas vijoi studimet pasuniversitare brenda e jashtë vendit, dhe u mor me kërkime shkencore në Università per Stranieri të Peruxhas, në universitetin La Sapienza të Romës, në Università Tor Vergata të Romës, në Institute of International Relations Clingendael të Hagës. Për disa vite pedagoge në Departamentin e Italianistikës, universiteti L. Gurakuqi, Shkodër. Njëkohësisht kontribuoi edhe në fushën sociale, duke drejtuar Qendrën e parë të Gruas në Shkodër. Më pas në Ministrinë e Punëve të Jashtme, pranë Drejtorisë së Vendeve Anëtare të BE-së. Ka punuar për ngritjen e Akademisë Diplomatike pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme shqiptare. Nga 2003 pedagoge në Departamentin e Gjuhës Italiane, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, si titullare e Sociolinguistikës italiane dhe Historisë së Mesjetës italiane. Mban titullin akademik Profesore e Asociuar. Autore artikujsh e studimesh të botuara në revista shkencore e kulturore brenda dhe jashtë vendit. Fushat e lëvrimit studimor përfshijnë letërsinë italiane, antropologjinë kulturore me fokus shoqërinë shqiptare, sociolinguistikën italiane dhe kritikën e përkthimit. Është pjesë e disa projekteve studimore me universitetet europiane. Pjesëmarrëse me kontributet e saj në më tepër se 30 konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare në: Itali, Spanjë, Kosovë, Mal të Zi, Rumani etj.
Autore librash si Faktorizimi i Miteve moderne shqiptare, produkt i traditës dhe i komunikimit mediatik; Bibliografi e punime të prof. Jup Kastratit etj. Përkthyese e veprave të disa prej autorëve më të spikatur të skenës letrare dhe kulturore italiane, si: Ligjërata mbi Dhjetëshen e parë të Tit Livit, e pasuar nga Konsiderata rreth Ligjëratave të Machiavellit, N. Machiavelli & F. Guicciardini; Gjashtë shëtitje në pyjet e tregimtarisë, U. Eco; Indiferentët, A. Moravia; Le ultime lune, F. Bordon; Vdekja e Amalia Saçerdotes dhe Gruaja e bankierit, Andrea Camilleri; Letër një kamikazi, K. F. Allam etj.
Showing the single result
