Ledia Dushi lindi më 1978 në Shkodër. Kreu shkollën e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka” Shkodër. Studimet e larta më 1996-2000 në degën Gjuhë shqipe dhe Letërsi në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër.
Më 2010 përfundoi studimet MA, ndërsa në vitin 2016 përfundoi studimet doktorale pranë Qendrës Ndëruniversitare të Studimeve Albanologjike në Tiranë.
Në periudhën 2002-2007 drejtore e Kulturës dhe Rinisë në Bashkinë e Shkodrës; më 2007-2009, lektore e letërsisë shqipe në Universitetin e Beogradit dhe më 2009-2011 këshilltare pranë kabinetit të kryetarit të Bashkisë, në Tiranë. Në vitet 2012-2015 ka qenë mësuese e letërsisë në shkolla të mesme të Shkodrës dhe të Tiranës. Aktualisht është pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës.
Njohëse shumë e mirë e gjuhës angleze, gjuhës italiane dhe spanjolle.
Nga viti 2001 deri në vitin 2004 ka kryer një sërë trajnimesh në fushë të kulturës në universitetet italiane, si Universiteti i Bolonjës, Universiteti i Romës, Universiteti i Firences etj.
Ledia Dushi është autore e tri vëllimeve poetike: Me mujt me fjet… me kthimin e shpendve; Seancë dimnash dhe Ave Maria bahet lot.
Është përkthyese e një sërë veprave letrare, si: Varreza e Pragës dhe Numri zero, nga Umberto Eco; Loja e engjëllit dhe Marina, nga Carlos Ruiz Zafón; Një e shtunë me miqtë, nga Andrea Camilleri; Ema, nga Jane Austen; Shembja e burrit, nga Sandro Veronesi; Pavdekësia dhe ese të tjera, nga Jorge Luis Borges etj.

Fituese e Çmimit letrar të Ministrisë së Kulturës, “Pena e argjendtë” për librin me poezi “Ave Maria bahet lot”, më 1997. Pjesëmarrëse në aktivitete letrare ndërkombëtare, si në Panairin e Librit, Leipzig, 2011; në Panairin e Librit, Frankfurt, 2006; në Javën e Letërsisë Shqipe në Salzburg, 2003; “Struga Poetry Evenings”, 2000.
Bursë si poete në Graz, Austri 2005; Bursë si poete në Literarisches Colloqium Berlin, 2004.