Lindi më 1950 në Tiranë. Kreu studimet në Shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja më 1969 në degën e gjuhëve klasike (latinishte, greqishte e vjetër). Studimet universitare i kreu në universitetin La Sapienza të Romës më 1976, në drejtimin e Filologjisë klasike.
Më 1977 nisi punën si përkthyes i letërsisë artistike pranë Shtëpisë Botuese Naim Frashëri (Tiranë). Më pas punoi si pedagog në katedrën e italishtes të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, drejtor i Bibliotekës Kombëtare, Tiranë, në Ministrinë e Punëve të Jashtme (drejtor, shef kabineti, ambasador i Shqipërisë në Rusi, i ngarkuar me punë i Shqipërisë në Itali dhe Egjipt). Përkthen rregullisht nga latinishtja, greqishtja e vjetër, italishtja, rusishtja, gjermanishtja, frëngjishtja dhe anglishtja. Deri më sot ka përkthyer mbi 40 vepra artistike (në prozë dhe vargje). Përmendim: Tregime, I. Calvino; Dekameroni, G. Boccaccio; Këshilli i Egjiptit, Secilit hakun, L. Sciascia; Zjarret e Bazentos, R. Nigro; Mes dy detesh, C. Abate; Historia e Bukurisë, Si shkruhet një punim diplome, U. Eco; Njerëz të shquar të lashtësisë, Plutarku; Proza latine (disa autorë); Kushtetuta e athinasve, Aristoteli; Persët dhe Lutëset (në vargje), Eskili; Filokteti (në vargje), Sofokliu; Grerakët dhe Pluti (në vargje), Aristofani; Fausti (përkthim i plotë në vargje) dhe Torkuato Taso (në vargje), J.W. Goethe; Përralla të zgjedhura, W. Hauff; Princi i vogël, Antoine de Saint-Exupéry; Fillesat e rendit politik, F. Fukuyama, Vepra 1-2, L. N. Tolstoi.
Fitues i çmimit “Përkthyesi i vitit” nga juritë e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë në vitet 2006 (për përkthimin e Zjarret e Bazentos) dhe 2011 (për përkthimin e Historia e Bukurisë), i çmimit “Fan Noli” për vitin 2008 nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë (për përkthimin e Fausti), i çmimit special të përkthimit “Fan Noli” nga juria e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë më 2015.