Katarina Taikon

Shkrimtarja suedeze Katarina Taikon (1932-1995) ishte aktiviste e njohur për të drejtat civile. Ajo debutoi në vitin 1963 me librin novator Gruaja cigane, që u bë po ashtu pikënisje për luftën kundër racizmit institucional ndaj pakicës rome në Suedi. Vepra e saj më e njohur është Katitzi, një seri librash autobiografikë e përbërë nga trembëdhjetë vëllime, që lexohet gjerësisht nga brezat e fëmijëve dhe është sot pjesë e fondit letrar suedez. 

Katarina Taikon ka shkruar këtë seri me libra për vogëlushen Katitzi dhe familjen e saj rome. Histori të mbushura me gëzim, gjallëri dhe imagjinatë, që, përmes syve të një fëmije, rrëfejnë padrejtësi të vogla, mosdijen dhe përjashtimin që u bëhet atyre. Katitzi dhe qeni Suing është vëllimi i dytë i serisë.