Shkrimtari i njohur amerikan Philip Roth (1933-2018), e bëri temë të rrëfimit të tij gjendjen e hebrenjve, të projektuar në kontekstin urban të Amerikës së bollëkut. Personazhet e tij duken se përpiqen më kot të çlirohen nga kujtimet etnike dhe familjare për t’u zhytur në harresën e ngjarjeve aktuale amerikane: këtu merr fill rrëfimi herë i dhunshëm e herë komik, herë ironik a grotesk, që mbart edhe ankthet e tyre.
Krijimtaria e Philip Rothit, kryesisht romane, është e gjerë, shumë e vlerësuar dhe po aq e përkthyer. Në shqip janë botuar disa romane të tij, që janë pritur mjaft mirë nga lexuesi ynë.
Komploti kundër Amerikës zgjoi debate të nxehta kur u botua, por edhe sot, sepse Rothi kalon nga alegoria në kronikën letrare të historisë kombëtare.
Pas botimit të vitit 2006, Dituria po e riboton këtë libër të rëndësishëm, që prej kohësh nuk gjendej më në librari. Philip Roth është nominuar disa herë për Çmimin Nobel në Letërsi, me gjithë se nuk e fitoi dot kurrë, ndofta për hir të bindjeve të tij.