Henriette Roosenburg (1916-1972) lindi në një familje mjekësh në Hagë. Mori një diplomë bachelor nga Universiteti Leiden më 1939. Kur filloi lufta, ajo vazhdonte studimet në Universitetin e Utrehtit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, punoi në ilegalitet për gazetën Het Parool (Fjala e Lirë), me shumë ndikim në Holandë. Më pas u përfshi në veprimtarinë klandestine që organizonte kalimin e robërve të luftës, aviatorëve të rrëzuar nëpërmjet Spanjës. Pas shumë muajsh si ndërlidhëse për Inteligjencën Aleate në Belgjikën e pushtuar, Francën e Holandën, ajo u arrestua nga Gestapo në Bruksel më 1944 e u dënua me vdekje. Ndërsa priste ekzekutimin për 11 muaj në nëntë burgje, u çlirua nga Ushtria Sovjetike në pranverën e 1945.
Pas Luftës, Roosenburg emigroi në ShBA dhe punoi në New York si reportere për Time, Life dhe Fortune, dhe si korrespondente në Europë. Libri Nesër një botë e re na pret (1957) e bëri menjëherë të famshme. Ai është bestseller në ShBA dhe Holandë. Vdiq në moshën 56-vjeçare nga një sëmundje e zemrës.