
Dhimitër S. Shuteriqi (1915-2003) shkrimtar dhe historian i letërsisë, profesor, akademik, Mësues i Popullit. Lindi në Elbasan, babai i tij ishte Simon Shuteriqi, veprimtar i kulturës e i arsimit kombëtar. Kreu Liceun francez të Korçës (1936) dhe ndoqi studimet e larta e u diplomua për filozofi në Universitetin e Grenoblës (1942). U kthye në atdhe po atë vit dhe mori pjesë aktive në Luftën ANÇL. Pas çlirimit, pati detyra me përgjegjësi në institucione arsimore, kulturore e letrare të vendit. Është ndër themeluesit e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë (tetor 1945), kryetar i saj në vitet 1954-1973, drejtor i Institutit të Lartë Pedagogjik në vitet 1947-1950, deputet i Kuvendit Popullor në vitet 1950-1974.
Dh. Shuteriqi e nisi veprimtarinë letrare në mes të viteve ’30-të shekullit XX, me vjersha, tregime e artikuj kritikë. Botoi përmbledhjet poetike “Kangët e rinisë së parë” (1935), “Kangë” (1936). Në vitet 1952-1955 botoi romanin “Çlirimtarët”, vëll.1-2. Më pas, lëvroi gjerësisht tregimin, botoi vëllimet “Gurnecka” (1957), “Fyelli i Marsiasit” (1963), “Kënga dhe pushka” (1972), “Maratonomaku ynë” (1977), “60 tregime në një” (1979), “Buka e thika” (2002) etj. La pas në dorëshkrim një varg veprash: “Moti i Madh. Shënime e dokumente për historinë shqiptare 1379-1479” (2006); “Aranitët. Historia, Gjenealogjia, Zotërimet” (2011); Fjalorin e Naim Frashërit, Fjalorin parabuzukian të shqipes, e të tjera.