Xhoana e Kuqe
Autori: Jennie Rooney Kategoria: Botime për të rritur, Letërsi e huaj Përkthyes: Ilir I. Baçi Viti i Botimit: 2024 ISBN: 978-9928-816-02-3 Numri i faqeve: 432 Pages Çmimi: 1500
Përshkrimi:

 “Askush nuk fliste për atë që kishim bërë gjatë luftës. E dinin të gjithë që nuk lejohej”.

 
Është një mëngjes i ftohtë janari, kur vijnë për të marrë Xhoana Stenlin nga shtëpia e saj e vogël në periferi të Londrës. Kush do ta kishte menduar! Xhoana ishte një mama e dashur, një gjyshe e ëmbël, e dhënë pas kopshtarisë… Dhe, atë mëngjes, dikush i trokiti në derë. E megjithëkëtë, duhej ta kishte pritur. Sepse, edhe në moshën tetëdhjeteshtatëvjeçare, nuk mund t’i shpëtosh së shkuarës…
Kembrixh, 1937. Në qytetin universitar ku vlojnë idetë dhe idealistët, Xhoana më në fund mund të marrë frymë e të studiojë. Dhe kur njihet me djaloshin simpatik, Leon, me origjinë ruse dhe të apasionuar pas politikës, dhe kushërirën e tij, ajo përfshihet në energjinë e dyshes dhe fillon një rrugëtim, që nuk do t’i kishte shkuar kurrë nëpër mend. Sepse Xhoana Stenli – gjyshja e këndshme angleze – ka një sekret të paimagjinueshëm: për vite me radhë, ajo ka qenë një spiune britanike e KGB-së, që transmetonte fshehurazi informacione për bombën atomike.
Bazuar në historinë e vërtetë të Melita Norwoodit, spiunes angleze të KGB-së, e zbuluar në vitin 1999, Xhoana e Kuqe është një dramë e paharrueshme spiunazhi dhe dashurie, por, mbi të gjitha, një histori që na tregon për zgjedhjet që bëjmë në jetë dhe pasojat e tyre të pashmangshme.
 

Jennie Rooney lindi më 1980 dhe u rrit në Liverpool, Zambia e Bromley. Studioi histori në Universitetin e Kembrixhit dhe dha mësim anglishteje në Francë, para se të vendosej në Londër për të punuar si avokate. Romani i saj i parë, Inside the Whale, u botua më 2008 nga Chatto & Windus, u përfshi në listën e ngushtë për çmimin Costa First Novel, Waterstones New Writer of the Year dhe ishte një zgjedhje si roman debutues për Klubin Richard dhe Judy. Është gjithashtu autore e The Opposite of Falling. Tani shkruan e jep leksione për historinë si edhe për shkrimin krijues për Skyros Writers’ Lab. Ajo është një nga mbështetëset e Akademisë Kombëtare të Shkrimit. Për të shkruar këtë libër, Jennie Rooney u frymëzua nga historia e Melita Norwoodit, spiunia britanike më jetëgjatë e KGB-së. Xhoana e Kuqe është libri i parë i kësaj autoreje i përkthyer në shqip. Nga ky roman, edhe filmi i famshëm me aktoren Judi Dench!

“Rooney i qaset kësaj historie të vërtetë në atë mënyrë që lexuesi ta përjetojë si dramën personale të Xhoanës. Ka dashuri, humbje, tradhti, miqësi dhe shumë sekrete për atë se si një person normal mund të tradhtojë vendin e vet. Ajo që godet në këtë histori, është se do ta kapni veten duke menduar nëse do të bënit pikërisht atë që bëri spiunia, në ato rrethana.” The Bookbag “Një roman brilant spiunazhi, me një fajtor të pamundur dhe një dramë emocionuese… plot tension, i shkruar me stil dhe shumë prekës.” Eithne Farry Marie Claire

<< Back