Arratisja e madhe
Autori: Ulf Stark Kategoria: Botime për fëmijë, Mbi 9 vjeç Përkthyes: Sokol Demaku Viti i Botimit: 2022 ISBN: 978-9928-366-32-0 Numri i faqeve: 136 Pages Çmimi: 800 lekë
Përshkrimi:

Në spital, gjysh Gotfridi ndihej si luani në kafaz dhe nuk bënte gjë tjetër veçse u çirrej infermiereve, duke mos pranuar njeri pranë. Madje edhe të birit i pëlqente më shumë të rrinte në shtëpi duke zgjidhur fjalëkryqe, sesa të shkonte ta takonte. Por Ulfi i vogël e donte me shpirt gjyshin, edhe pse gojën e kishte ca të hidhur e ishte grindavec, prandaj i mbante inat babait që nuk e shpinte tek ai. Kështu sajoi një gënjeshtër dhe shkoi vetë; rrugën për në spital e dinte si në pëllëmbë të dorës. Dhe shpejt ua mori dorën gënjeshtrave, sepse herën tjetër thuri një plan për arratisje të vërtetë, për të përmbushur një dëshirë të madhe të gjyshit. Me para në dorë, pajtoi si shofer Roni-Adamsin, bukëpjekësin mik, pikalosh dhe punëmbaruar. Dhe, duke u hequr sikur po nisej për t’u grumbulluar me skuadrën e futbollit, i hyri një aventure plot vështirësi e të papritura për ta çuar gjyshin, me këmbën e thyer dhe zemrën e sëmurë, që të shihte ndoshta për herë të fundit shtëpinë në ishull: aty ai kishte jetuar kohë të lumtura me gjyshen, që tani ishte në qiell.
Arratisja e madhe, vepra e fundit që Ulf Starku la trashëgim dhe që u botua pas vdekjes së tij, është një himn që i thuret jetës dhe lirisë, një ode e këndshme që, me humorin e ëmbël dhe të pashoq të këtij gjiganti të letërsisë për fëmijë, trajton mes shumë buzëqeshjesh e ndonjë pike loti tema vërtet të rëndësishme, nga dashuria mes brezave dhe mes të gjallëve e të vdekurve, deri te misteri i madh i botës së përtejme.

<< Back