Fillimi i mbrapshtë
Autori: Lemony Snicket Kategoria: Botime për fëmijë, Mbi 9 vjeç Përkthyes: Ilir I. Baçi Viti i Botimit: 2025 ISBN: 978-9928-816-51-1 Numri i faqeve: 132 Pages Çmimi: 700
Përshkrimi:

NJË SUKSES I PATURPSHËM NË SHITJE, NJË EPIDEMI KATASTROFIKE LEXUESISH, NJË SERI QË DUHET TA SHMANGNI NËSE PO KËRKONI NJË FUND TË LUMTUR!

Në traditën e tregimtarëve të mëdhenj, nga Dikensi te Dahli, vjen një komedi e mrekullueshme që është njëkohësisht letrare dhe ironike, plot humor dhe e krijuar me mjeshtëri. Të treguara nga Toz Lejmoni (Lemony Snicket) dhe të stolisura me vizatime nga Brett Helquisti, kurrë më parë një seri librash me tre fëmijë simpatikë dhe të pafat, nuk ka qenë kaq magjepsëse, ose kaq vramendëse.
Violeta, Klausi dhe Diellza Bodleri janë fëmijë të mençur. Ata janë simpatikë, të shkathët dhe kanë fytyra të bukura me tipare të këndshme. Fatkeqësisht, janë tejet të pafat.
Në atë periudhë, për të cilën bien të gjithë në një mendje se është një fillim shumë i mbrapshtë për vazhdimin e jetës së tyre, këta tre fëmijë jo vetëm që mësojnë se prindërit u kanë vdekur dhe se kanë mbetur jetimë brenda natës, por edhe se njëfarë Kont Olafi do të jetë kujdestari i tyre. I neveritshëm, i shpifur dhe vërtet i lig, Konti tregon që është po aq lakmitar, po aq i pangopur sa edhe drita djallëzore që i shkëlqen në sy.
Pasuria e familjes është në rrezik, vëllai e motrat duhet të durojnë disa gjëra të tmerrshme përpara se – siç shpresojmë – të mbijetojnë: tesha që u gërvishtin trupin e u shkaktojnë të kruara, patate të ziera, njerëz të rritur të pazot dhe një dasmë në të cilën askush nuk dëshiron të marrë pjesë, duke përfshirë edhe nusen.
Lexoni tani… ose heshtni përgjithmonë.

I dashur lexues,

Më vjen keq të të them se libri që mban në duar, është tejet i pakëndshëm. Në të tregohet historia e palumtur e tre fëmijëve shumë të pafat. Megjithëse janë simpatikë e të zgjuar, Bodlerët e vegjël e çojnë jetën mes vuajtjeve dhe mjerimit. Që prej faqes së parë të librit, ku fëmijët ndodhen në plazh dhe marrin një lajm të tmerrshëm, e gjatë gjithë rrëfimit, i ndjekin këmba-këmbës katastrofat. Mund të thuash se e tërheqin fatin e keq si me magnet.
Vetëm në këtë libër të shkurtër, tre vogëlushët njihen me një batakçi makut e të shpifur, vishen me tesha të ashpra prej të cilave u ha trupi, bien pre e një zjarri shkatërrimtar, janë shënjestra e një komploti për t’u vjedhur pasurinë dhe çdo ditë hanë për mëngjes vetëm qull të ftohtë.
Unë e kam për detyrë t’i hedh këto histori të pakëndshme në letër, por ty nuk të ndalon askush ta heqësh menjëherë këtë libër nga dora e të marrësh diçka të gëzuar për të lexuar, në qoftë se të pëlqen.

Me respekt,

Toz Lejmoni

<< Back