Pasi jetoi për pesëmbëdhjetë vjet larg Gjermanisë, Bertold Brehti kthehet në Berlin në vitin 1948. U largua më 28 shkurt të vitit 1933, vit në të cilin policia ndërpreu prezantimin e librit të tij Drejtimi në udhëheqje dhe librat e tij u dogjën nga nazistët në zjarrin e madh përpara Teatrit të Operës së Berlinit. Nga ai moment, shkrimtari bredh në qytete të ndryshme të botës dhe në fund ankorohet në Amerikë. Por pëlqimet e tij komuniste nuk mirëpriten nga amerikanët, që e nënshtrojnë ndaj një hetimi gjyqësor, prej të cilit arrin të shpëtojë. Pasi largohet nga Shtetet e Bashkuara, Brehti arrin në Berlinin Lindor, i pritur dhe i brohoritur nga institucionet politike dhe kulturore komuniste. Në këtë pikë të peripecisë ekzistenciale dhe artistike të shkrimtarit gjerman fillon romani i Jacques-Pierre Amette, fitues i Çmimit Goncourt në vitin 2003, roman që bashkon të vërteta historike me trille rrëfimi. Qëndrimi i Brehtit në Amerikë, ku ka punuar si skenarist për kinemanë, ka mbjellë në Berlinin komunist dyshimin se ai mund të ketë fituar pëlqime proamerikane dhe regjimi sovjetik vendos, që ai t’i nënshtrohet mbikëqyrjes së Stasit. Për ta spiunuar zgjidhet një aktore vjeneze, familja e së cilës ka pasur të kaluar naziste. E bindur për nevoja mbijetese, Maria Eich pranon të hyjë në shërbimin e spiunazhit me detyrën për të qëndruar në krah të dramaturgut si në rolin e aktores së shoqërisë së re të tij, ashtu dhe në rolin e dashnores. Kështu fillon për këtë grua udhëtimi, që do ta çojë në ndarjen e skenës dhe të shtratit me Brehtin. Aktorja e re gjendet përballë një miti, të cilit natyra i zbulon dobësi dhe mani, pasion dhe lëvizshmëri, dhunti dhe vese. Personazh i vizatuar me një delikatesë të mprehtë, Maria Eich zbulon një natyrë të ëmbël dhe melankolike. Është një melankoli e lindur nga mungesa dhe ndjenja të patreguara, që përshkojnë të gjithë romanin. Një heshtje e thellë i lidh protagonistët, edhe në ato pak fjalë që thonë. Dashuria, që lind mes Marias dhe funksionarit të Stasit, është gjithçka në këtë heshtje. Rrëfim i rafinuar dhe vital, ky i Amettit, i mbështjellë me një trishtim të zymtë të një atmosfere, ku jepet shkatërrimi i atij konflikti botëror, që turbulloi ekuilibrin e Europës.