Anne Frank

Anne Frank filloi të shkruante në ditarin e saj që në moshën trembëdhjetëvjeçare, nga 12 qershori i vitit 1942 deri më 1 gusht 1944. Në të vërtetë, ajo nuk kishte ndonjë mik të afërt me të cilin mund të fliste, ndaj në ditarin e saj i shkruan për të gjitha përjetimet e veta një shoqeje imagjinare, me emrin Kiti. Këto shënime, ku ajo nxirrte dufin e atyre ditëve të zymta dhe të rënda, ishin shkruar vetëm për Anën, deri në pranverën e 1944-ës, kur Bolkenshtajni, atëherë ministër i Arsimit në mërgim, tha në radio se të gjitha dëshmitë e vuajtjeve të popullit holandez gjatë pushtimit gjerman, do të mblidheshin dhe do të botoheshin pas mbarimit të luftës. I ati, pas luftës dhe zhdukjes së gjithë familjes në kampet e përqendrimit, vendosi ta botonte këtë ditar, që shumë shpejt u bë një nga dëshmitë më të forta dhe rrëqethëse të “Shoah”-ut.