Antonio Pennacchi lindi në Latina, më 1950. Që në moshë fare të re u përfshi në Lëvizjen Sociale Italiane (MSI), por u përjashtua pas disa vjetësh për shkak të një manifestimi antiamerikan kundër luftës në Vietnam. Më vonë vendosi të aderojë në radhët e marksistëve të “Servire il Popolo”. Pastaj, vit pas viti, u bë pjesë e Partisë Socialiste Italiane (PSI), Konfederatës së Përgjithshme Italiane të Punëtorëve (CGIL), Bashkimit Italian të Punëtorëve (UIL), Partisë Komuniste Italiane (PCI) dhe sërish e Konfederatës së Përgjithshme Italiane të Punëtorëve (CGIL). Përjashtimi i fundit më 1983, nga Konfederata e Përgjithshme Italiane e Punëtorëve, e bindi Pennacchin se kishte ardhur koha të hiqte dorë nga politika. Kështu, nisi t’u përkushtohet studimeve dhe të shkruarit. Më 1994, në moshën 44-vjeçare, u diplomua në letërsi me një temë për Benedetto Crocen. Në të njëjtin vit botoi romanin Mammut, i cili u pasua nga: Palude (1995), Una Nuvola Rossa (1998), L’Autobus di Stalin e altri scritti, Il fasciocomunista (2003, fitues i Premio Napoli), Shaw 150. Storie di fabbriche e dintorni (2006), Fascio e Martello. Viaggio per le città del Duce (2008), Canale Mussolini (2010, me të cilin Pennacchi fitoi Premio Strega), Le Iene del Circeo (2010).