
Bruno Zevi (Romë, 1918-2000) u diplomua në arkitekturë në Graduate School of Design në Universitetin e Harvardit, që drejtohej nga Walter Gropius; në SHBA drejtoi “Fletoret italiane” të lëvizjes Drejtësi e Liri. U kthye në Europë më 1943 e mori pjesë në luftën antifashiste në radhët e Partisë së Aksionit. Pas lufte organizoi Shoqatën për Arkitekturë organike (APAO) e revistën “Metron-arkitektura”. Nga 1955 drejtoi revistën mujore “Arkitektura – kronikë dhe histori” e kujdesej në “Espresso” për një rubrikë, artikujt e së cilës u mblodhën në njëzet e pesë vëllimet e Kronika të arkitekturës. Profesor i historisë së arkitekturës në Venecia e Romë, me diplomë honoris causa të universiteteve të Buenos Airesit, të Miçiganit e Technion në Haifa, anëtar nderi i Institutit Mbretëror të Arkitektëve Britani-kë e i Institutit Amerikan të Arkitektëve, përveç se zëvendëspresident nga themelimi më 1959, i Institutit Kombëtar të Arkitekturës, Akademik i Institutit Internacional të Arkitekturës, president emeritus i Comité International des Critiques d’Architecture (Cica) e kryetar nderi i Partisë Radikale, ishte edhe sekretar i përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Problemeve urbane (INU) e anëtar i Parlamentit në legjislaturën e dhjetë. Ndër veprat e tij, përmendim: “Saper vedere l’architettura”, një bestseller përkthyer në njëzet e një gjuhë (tashmë edhe në shqip, nën titullin Si ta kuptosh arkitekturën), “Il linguaggio moderno dell’architettura” – udhërrëfyes për kodin antiklasik, “Storia dell’architettura moderna dhe Controstoria e storia dell’architettura”, në tri vëllime.