
Charles Dickensi ka lindur më 1812 në Portsmuth, në një familje të varfër. Ai pati një fëmijëri të vështirë dhe kjo ishte për të një përvojë jetësore që la gjurmë të thella e të rëndësishme në veprimtarinë e tij të ardhshme letrare. U detyrua të punonte që i vogël dhe më pas rifilloi shkollën. Kreu një varg punësh që e çuan drejt gazetarisë, punoi disa kohë edhe si kronist i parlamentit dhe shpejt iu kushtua letërsisë. Në vitet 1830 filluan të dilnin shkrimet e tij të para dhe shpejt ai arriti të bëhet i njohur. Në librat e tij dallohet njohja e jetës dhe vizatimi i personazheve dhe atmosferës së besueshme e interesante, parapëlqimi për personazhe të thjeshta. Krijimtaria e Dickensit rrok fusha të ndryshme të letërsisë, që nga romanet, vëllimet me tregime, dramat dhe ditarët e udhëtimit. Ka punuar në gazetat “Morning Chronicle, Daily News” etj. Përmendim disa nga veprat e tij më të njohura: Trilogjia e Londrës, Klubi Pikuik, Oliver Tuist, Nikolas Nikelbi, Dyqani i antikuarëve, Dombi e bijtë, David Koperfildi, Vogëlushja Dorrit, Shpresat e mëdha, Kohëra të vështira; vëllime me tregime për fëmijë e të rritur: Ditarë udhëtimesh nga Amerika, Ditarë nga Italia etj. Charles Dickensi konsiderohet si autori më i shquar anglez i periudhës viktoriane. Vdiq në vitin 1870.