Ernest Hemingway

Ernest Hemingway (1899-1961), autor dhe gazetar i njohur amerikan, lindi në Oak Park, Illinois, ku edhe u rrit. Pasi mbaroi shkollën e mesme, punoi për disa muaj si reporter për The Kansas City Star, përpara se të shkonte në fronin italian e të punonte si shofer ambulance gjatë Luftës së Parë Botërore, gjë që u bë tema kryesore e një prej romaneve të tij me titull Lamtumirë armë. Stili i tij i veçantë, i karakterizuar nga fjali të shkurtra por që shprehin mjaft, pati ndikim në letërsinë e shekullit të njëzetë, ashtu siç pati jeta aventureske dhe imazhi publik i tij. Pjesën më të madhe të krijimeve të tij ai i shkroi mes viteve ’20 dhe ’50. Më 1954 ka fituar Çmimin Nobel në letërsi. Krijimtaria e Hemingwayit pati sukses sepse lexuesi gjen një pjesë të vetes tek ata. Gjatë gjithë jetës së tij ky autor ka botuar shtatë romane, gjashtë përmbledhje me histori të shkurtra dhe dy vepra joletrare; pas vdekjes së autorit u botuan edhe tri romane, katër përmbledhje me histori të shkurtra dhe tri vepra joletrare.