Leon Rey lindi më 27 gusht 1887, në Faremoutiers, Seine et Marne. Pasi përfundoi liceun Fénelon, filloi të studionte Drejtësi, të cilën e braktisi për shkak të pasionin të tij: historisë dhe qytetërimeve të vjetra. Hyri në L’Ecole de Chartres dhe e kurorëzoi përfundimin e studimeve duke mbrojtur temën “Essai de la conquête et de la perte du royaume de Naples par Louis XII (1500-1504)”. Fillimisht u angazhua në kërkimet arkeologjike në zonën e Maqedonisë, për t’iu përkushtuar më pas, 1923-1938, misioneve të përvitshme arkeologjike në Apoloninë e Fierit, ku zbuloi një sërë objektesh skulpturale, mbishkrime dhe varre të shekullit VI para erës sonë. Gjatë kësaj periudhe propagandon me pasion kulturën shqiptare në Francë, përmes konferencash në Sorbonë dhe mjedise të tjera të Parisit. Me pushtimin fashist të Shqipërisë, 1939, nuk u lejua të vazhdonte kërkimet në Apoloni. Udhëtoi sërish drejt Shqipërisë në vitin 1945 me shpresë se do të mund të vazhdonte kërkimet në Apoloni, por regjimi i ri komunist nuk pranoi që ky mision arkeologjik të vazhdonte. Vdiq në vitin 1954 dhe disa vjet më vonë, më 15 maj 2004, vendosen në Apoloni busti i Reyt, si dhe një pllakë përkujtimore kushtuar veprës së tij.