Lucinda Riley


Lucinda Riley lindi në Irlandë. Pas karrierës si aktore në filma, teatër e televizion, shkroi librin e parë, në moshën 24-vjeçare. Librat e saj të përkthyer në 37 gjuhë vazhdojnë të emocionojnë lexuesit anembanë botës. Saga e Shtatë motrave është kthyer në fenomen botëror dhe një kompani hollivudiane produksioni ka blerë të drejtat për një seri televizive bazuar mbi këta libra. Librat e saj janë nominuar për çmime të ndryshme: Bancarella (Itali), The Lovely Books (Gjermani) dhe çmimin Romantic Novel of the Year (Britania e Madhe). Më 2020, fitoi çmimin holandez Platinum, për më tepër se 300 000 kopjet e shitura për një roman të vetëm brenda një viti – çmimi për herë të fundit ishte fituar nga J. K. Rowling për Harry Potterin.
Autore bestseller e Sunday Times dhe New York Times

Në bashkëpunim me të birin, Harry Whittaker, shkroi një seri librash për fëmijë: The Guardian Angels. Për shumë vite jetoi në Norfolk të Anglisë dhe më 2015 realizoi ëndrrën e saj, duke blerë një fermë të veçuar në West Cork, Irlandë, të cilën përherë e ndjeu si shtëpinë shpirtërore. Këtu shkroi edhe pesë librat e fundit të sagës. Më 2017, Lucinda u diagnostikua me kancer dhe më 11 qershor 2021 ndërroi jetë, e rrethuar nga familja e saj.