Mihail J. Lermontov është ndër përfaqësuesit më të mëdhenj të letërsisë ruse dhe një nga zërat më të talentuar të poezisë botërore. Lindi në Moskë (15 tetor 1814), në një familje fisnike. Pa mbushur ende tre vjeç, humbi të ëmën dhe u rrit në fshat, në çifligun e gjyshes. Pianist dhe violinist i talentuar, që në moshë të vogël shfaqi prirje për t’u bërë poet. Njohës i mirë i anglishtes dhe i gjermanishtes, u ndikua dukshëm nga veprat e Bajronit dhe të Shilerit, si dhe nga ato të Pushkinit. Pas dy vjetësh në Universitetin e Moskës, Lermontovi u regjistrua në Shkollën e Kadetëve të Kalorësisë në Shën Petërburg, prej nga u largua me gradën nëntoger. U rrit në një epokë të shënuar nga fitorja e Rusisë ndaj Francës napoleoniane dhe nga përhapja e ideve përparimtare që çuan në lëvizjen dekabriste të shtypur nga regjimi carist. Pikëpamjet dhe krijimtaria i sollën atij mjaft shqetësime. Pakënaqësia e Oborrit dhe e salloneve aristokrate, bënë që një pjesë të madhe të jetës së tij të shkurtër Lermontovi ta kalonte në Kaukaz, si oficer i ushtrisë ruse në atë zonë të shqetësuar. Cari nuk ia fali asnjëherë vargjet denoncuese të poezisë Vdekja e poetit (1837), shkruar pas vrasjes së A. S. Pushkinit. Njësoj si edhe poeti i madh, të cilin e adhuronte, vetë Lermontovi ra viktimë e një dueli të provokuar me qëllim. Kështu, më 1841, në moshën 27-vjeçare, u ndërprenë jeta dhe krijimtaria e një artisti të madh.