Paul van Loon

Paul van Loon është shkrimtar prej më shumë se 30 vjetësh dhe ka fituar shumë herë çmimet më të rëndësishme për letërsinë për fëmijë. Por krenaria e shkrimtarit janë lexuesit: ka më shumë se një milion lexues, që i lexojnë librat e tij në shumë gjuhë të botës! Ai lindi më 17 prill 1955 në qytetin Geleen, Holandë. Pas katër vite leksionesh për t’u diplomuar si ilustrues në Akademinë e Arteve në Den Bosch, vendosi ta linte Akademinë dhe bleu një kitarë akustike. Me grupin e tij të njohur muzikor, luajti muzikë në të gjitha anët e vendit. Por meqë e donte shumë librin dhe sidomos historitë drithëruese dhe jo të mërzitshme, Paul van Loon kishte nisur punën për t’u bërë ilustrues i librave për fëmijë e të rinj. Nisi të shkruante histori për ilustrimet e tij dhe tregimet e para u botuan në revista të ndryshme. Në vitin 1983 u botua libri i tij i parë: Në majë të tezes Agate. Pa u vënë re, Paul van Loon ishte bërë shkrimtar. Por libri që e bëri të njohur, tashmë edhe në botë, ishte Autobusi i drithërimave (1991). Në vitet e fundit shkrimtari ka marrë më shumë se 50 000 letra nga lexuesit e tij që presin çdo vit një libër të ri nga Paul van Loon. Dhe është e sigurt që shumë shpejt, libri bëhet një nga më të preferuarit e jurisë letrare të fëmijëve në Vendet e Ulëta. Në vitin 2011, personazhi Dolfje Weerwolfje, i ideuar prej tij, u zgjodh nga lexuesit si heroi i librit të fëmijëve. Ky autor ka shkruar mbi 100 libra. Autobusi i drithërimave është libri i parë i një serie, i pasuar edhe nga tri vëllime të tjera.