Peter Handke

Peter Handke ka lindur më 6 dhjetor 1942, në Griffen, Kerntën (Austri). Nga viti 1961 deri më 1965 ndoqi studimet për jurisprudencë në Grac. Ka ndërruar shpesh vendbanim, duke jetuar në Düseldorf, Berlin, Paris, Frankfurt, në ShBA etj. Në vitin 1978 udhëton nëpër Jugosllavi, Greqi, Egjipt dhe Japoni. Konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës sonë. Është autor poezish, esesh, dramash dhe skenarësh kinematografikë. Përmendim: Ankthi i portierit para penalltisë, Letër e shkurtër për ndarjen e gjatë, Ora e ndjenjës së vërtetë, Gruaja mëngjarashe, Kthim i ngadalshëm për në shtëpi, Kinezi i dhimbjeve, Pasdite e një shkrimtari, Historia e fëmijës, Mungesa etj. Pasi tërhoqi vëmendjen europiane falë procedimeve në Fyerje publikut (1966), eksperiment i metateatrit që nuk pranon asnjë lloj imitimi natyror, Peter Handke e fitoi përfundimisht lexuesin me librin Një brengë përtej ëndrrave (1972), që u bë menjëherë një bestseller i papritur dhe mbetet edhe sot, mbase libri më i dashur, i Peter Handkes. Një libër që kritika nuk ka ngurruar ta ngrejë në nivelin e librit klasik të pavdekshëm. Që prej vitit 1991 jeton në Paris. Fitues i Çmimit Nobel për Letërsinë, 2019.