Rosa Liksom, 1958, është një nga shkrimtaret dhe artistet më të njohura finlandeze. Lindi në Lapland, në veri të Finlandës, në një familje fermerësh që rrisnin drerë. Në moshën 17-vjeçare u shpërngul në Helsinki ku studioi antropologji në Universitetin e Helsinkit. Lëvizi për disa kohë në vende të ndryshme europiane. Për katër vjet jetoi në Kopenhagë dhe verën e kalonte në Paris. Për disa kohë jetoi në veri të Norvegjisë dhe në Islandë dhe më pas ndoqi studimet antropologjike në universitetin e Moskës. Përvoja jetësore në Moskë, bëri që bota ruse të bëhej pjesë e librave të saj. Më pas u kthye përsëri në Helsinki, më 1987. Librin e saj të parë e botoi më 1985: një vëllim me tregime Një natë ndalesë (Yhden yön pysäkki), që fitoi çmimin J. H. Erkko Award. Prej atëherë i është kushtuar letërsisë dhe ka botuar 8 vëllime me tregime, 3 romane dhe 2 libra për fëmijë. Rosa Liksom është finaliste e çmimit të këshillit Nordik dhe Çmimit Medicis. Romani Kabina nr. 6 (më 2011) ka fituar Çmimin Finlanda që është më i rëndësishmi për vlerësimin e veprave letrare në atdhe dhe veprat e saj janë bestseller ndërkombëtar.