Një gjykatës në moshë të mesme, i shtyrë nga kureshtja dhe sfida intelektuale e punës së tij, që përpiqet të ruajë njerëzillëkun, ndërsa heton krimet brutale; një historiane e re naive, e gatshme të marrë në sy çdo rrezik për të zbuluar krimet shtetërore të viteve 1940; një aktor, i fiksuar pas romanit që po shkruan për shfarosjen e hebrenjve të Odesës dhe një klerik mysliman, besnik ndaj Bashkimit Sovjetik, vrasja e të cilit ka kaq shumë pasoja: drama njerëzish, në dukje larg njëri-tjetrit, që në fund bashkohen, për të thurur një dramë komplekse në një rrëfim për dy qytete, Moskën dhe Bakunë, në një nga realitetet historike më të pakapshme, të paqëndrueshme dhe të lëna pas dore: Rusinë e Gorbaçovit…
Kush e kujton sot se si ishte Rusia e asaj kohe? Kur glasnosti, papritmas, i dha zë mospajtimit, kur arkivat u hapën dhe kujtimet e tragjedive të së kaluarës u zhvarrosën, kur Bashkimi Sovjetik ende ekzistonte dhe rusët e ukrainasit, azerbajxhanasit dhe armenët bashkëjetonin në atë vend të gjerë dhe, nën fasadën e komunizmit ortodoks gjithçka, nga përfitimi prej mafies te fundamentalizmi islamik, ziente.
Alessandro Barbero e tregon këtë histori me një ritëm dhe një mënyrë që të sjell ndër mend shkrimtarët e mëdhenj rusë, si Gogoli dhe Bulgakovi.
Roman rus rrëfen dekadën e fundit të paqartë të Bashkimit Sovjetik ku, në përfundim të historive të Tanjës, gjykatësit Nazar Kalistratoviç dhe Mark Kaufmanit do të jetë e pashmangshme të nuhasim, siç paralajmëron një varg i poetit Mandelstam, viktimë e Stalinit, “mizoritë që na presin”.
“Barbero përdor aftësitë mjeshtërore të një rrëfyesi erudit dhe profesional për të zhvarrosur masakra të së kaluarës së largët dhe të afërt. Roman rus trajton të kaluarën që nuk kalon kurrë (qoftë cariste apo staliniste) dhe të ardhmen që, në vitin 1988, ishte e afërt dhe tani ka mbërritur.”
Il Giornale
“Ky është një roman i mahnitshëm… Roman rus i Barberos, i vendosur gjatë viteve të Gorbaçovit, kur siguritë sovjetike po shkërmoqeshin dhe ndryshimi dhe ankthi ishin në ajër; … drama, të cilën lexuesi e ndjek përmes një labirinti të ndërlikuar… të gjitha janë kaq interesante. Dhe, për çfarë shërben një dramë, përveçse ‘për të sjellë gjëra të bukura?’, dhe këtu ka gjëra të bukura pa fund.”
The Scotsman
“Është një kënaqësi thellësisht shpërblyese të humbësh në këtë roman.”
The Sunday Herald