Tridhjetë gra që tregojnë historitë e tyre, tridhjetë tregime që dëshmojnë edhe një herë angazhimin feminist të Alberto Moravias, një angazhim që e ka bërë të ndërtojë një sërë portretesh të paharrueshme grash, te të cilat gjendja e shoqërisë dhe gjendja e gruas shfaqen më shumë se kurrë të lidhura me një problem të madh të vetëm moral: pasigurinë. Ky vëllim me titull Faqja tjetër e hënës (siç titullohet njëri prej tregimeve), bëhet shprehje e ngurrimit që gruaja nuk do të reshtë kurrë së nxituri te vetja, por edhe te shoku i vet, një zgjidhje ironike e një drame të përsëritur në shekuj nënshtrimesh dhe moskuptimesh. Gratë flasin për pasigurinë e tyre përballë jetës dhe, ironikisht, edhe për atë të meshkujve, për të cilët ato janë një enigmë e përhershme dhe tërheqëse. Ndryshe nga përmbledhjet e tjera me tregime, te Faqja tjetër e hënës, ato ushqejnë një zemërim të thellë dhe të gjitha përshkohen dhe shprehen – në kuptimin frojdian – nga zëri i pavetëdijes, efektet e të cilit i shohim, shpesh pa u kuptuar arsyet. Fijet e rrëfimit që lidhin tregimet me njëri-tjetrin janë një vizion krejt ‘feminist’ i një bote të re që po shfaqej dhe po afirmohej edhe në Itali, kur u botua ky vëllim 50 vjet më parë, duke rrënuar zakonet e vjetra dhe një strukturë shoqërore të rrënjosur thellë.
Kjo përmbledhje paraqet një Moravia me gjuhë të mprehtë, madhështor në ngulitjen e imazheve të shkurtra dhe të thukëta, që na kujtojnë përsosurinë letrare të romaneve të famshme të Moravias, që nga Çoçarja apo Burri që këqyr e deri te qindra e qindra faqe me tregime nga më të fuqishmit e letërsisë italiane të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar.
“Të shkruara në stilin unik të Moravias, me thjeshtësi klasike, por të pasura me njohuri delikate dhe vëzhgime të mprehta, hera-herës të tharta, hera-herës të deshi-frueshme me zor, këto tregime dëshmojnë sërish e sërish për shkrimtarin më të shquar bashkëkohor të Italisë, si mjeshtër të tregimit të shkurtër.”
Louis Kibler
“Një libër i thjeshtë, një afresk pa zbukurime, madje edhe i egër në disa përshkrime, një portret i realizuar nga një piktor që, penelatë pas penelate, kap ndryshimin e ngadaltë dhe të vazhdueshëm të gjërave: është një vëllim që, pa dyshim, ia vlen të lexohet.”
The Guardian