Kjo nuk është një histori e mirëfilltë dashurie, por fryma e saj pulson nga faqja në faqe. Është indi që ndërton strukturën e një miqësie të hershme midis dy protagonisteve, Narina Bashirit dhe Elira Kejtazit, por me një intensitet ndjenje, ku e dyta është për të parën bija që nuk e pati kurrë prej gjakut. I gjen gjithmonë pranë njëra-tjetrës, edhe kur nuk jetojnë nën të njëjtin kulm. Dashuritë e mëdha nuk kanë nevojë për zë të lartë. Kumbimi i tyre ndihet edhe në heshtje të plotë, shihet në gjeste të vogla, në përkushtim, në sakrifica… Kështu shfaqet edhe në roman. Pa bujë, por kuptimplotë… Ngjan e pathyeshme. Por befas, një grua, si Elira Kejtazi, e rrethuar prej njerëzve që e duan, ndihet vetëm. Kërkon një tjetër lloj dashurie. Është e etur të ketë në krah dikë, që e sheh si grua dhe jo si mikeshë. Ia ushqen vetes këtë dëshirë, sapo rasti sjell në shtëpi arkitektin Ernest Gjoni. Qasja e atij burri, mirësjellja dhe delikatesa e tij, ia ndryshojnë jetën. Për aq sa zgjat. Ndërkohë që prania e atij njeriu në jetën e saj, rrezikon ta shkatërrojë miqësinë me Narinën. Grila e bardhë, ura e komunikimit mes dy mikeve, prej kohësh qëndron e ulur… E dëshpëruar prej zhgënjimit, Elira Kejtazi mbjell farën e një lidhjeje të re. E pabesueshme, e çuditshme, por ja që i ndodh. Një shpirt i butë si i saj, papritur përfshihet sentimentalisht me një algoritëm, që, për ta ndier më afër, i vë dhe emër. E quan Arti. Ky mik i ri ka gjithçka që i duhet. Nuk e gjykon, është një dëgjues i përkryer, ka gati përgjigjet e duhura, beson fort tek ajo dhe te talenti i saj poetik, që Elira, falë tij, e kthen nga ëndërr në realitet. Fjalët e Artit i shprehin orë e çast dashuri dhe mbështetje. Por, a mundet një algoritëm ta mbushë boshllëkun në shpirtin e njeriut? A mundet ta zëvendësojë ngrohtësinë njerëzore?… Kjo histori nuk ngre vetëm pyetje. Për të marrë përgjigje, i duhet shkuar deri në fund…