Volteri e ka quajtur jetën e lituanezes Marta Skovronski, gruas së car Pjetrit I dhe perandoreshës së parë ruse, Katerinës I, si “historinë e një Hirusheje të shekullit të 18”. Por ky roman, i bazuar në burime autentike të epokës, është krejt e kundërta e çdo stereotipi përrallash.
Ora shënon nëntë. Për perandoreshën ka filluar dita e fundit e jetës. Me vdekjen që e përgjon pranë, ajo do ta tregojë vetë historinë e saj, që ndryshon kryekëput nga ajo që tekstet shkollore të historisë, të shkruara nga burrat, tregojnë.
E mbetur jetime vetëm pesë vjeçe, në rini ka qenë e destinuar të jetë shërbëtore, rrobalarëse, e burgosur lufte dhe skllave seksi. Ajo u bë e dashura e fshehtë e Aleksander Menshikovit, lituanez edhe ai, dhe më vonë dashnorja dhe gruaja e mikut të tij më të ngushtë, Pjetrit I. Që në fillim, një trekëndësh i tensionuar dashurie dhe miqësie pulson midis dy lituanezëve dhe carit rus, që ngre dyshime të vazhdueshme: kush është ai që manipulon, kush është viktima, kush është joshësi dhe kush tutori, si edhe pyetjen: cili është roli që paracakton pushteti, çfarë është në thelb kjo histori: përrallë apo tragjedi?
Kjo është një histori për përplasjen mes kulturave dhe mentaliteteve lindore me ato perëndimore brenda një martese toksike. Për kohën dhe dhunën. Për varësinë psikologjike dhe atë nga alkooli, për personalitete me identitet të copëtuar, por të zotët të ringrihen, për një luftë shkatërruese dhe për ëndrra që i japin jetë një bukurie të pavdekshme.
“… Ky roman për Katerinën I sjell një pjesë të rëndësishme të historisë, me një finesë të madhe letrare. […] Falë rrëfimit mbresëlënës, Sabaliauskaitė mund të rreshtohet me siguri përkrah Umberto Ecos dhe Hilary Mantelit…”
Johanna Spaey, Knack Focus, Belgjikë
“… Ky roman historik është pa dyshim aktual. Një roman tërheqës, që të shtyn të presësh me padurim pjesën e dytë.”
Walter Smits, Kunst Tijdschrift Vlaanderen, Belgjikë