Në Provansë, në një rajon të shkretë e të egër, një bari i vetmuar, me emrin Elzear, mbjell pemë ditë pas dite. Është i heshtur, këmbëngulës dhe e do me shpirt natyrën. Shkrimtari e ndjek hap pas hapi, duke na rrëfyer bujarinë e tij. Në një kohë kur teknologjia ka pushtuar zemrat e të rinjve, duke i “burgosur” shpesh mes mureve, ky libër ngjan si i shkruar sot dhe si një ftesë për t’u kthyer te natyra, ashtu si rrënjët, degët, gjethet dhe frutat e pemës në tokën mëmë.
Një klasik i madh i letërsisë, një himn për natyrën, që ka shëtitur botën, me ilustrimet e shkëlqyera të O. Desvaux. Një histori e bukur për shpresën, mbijetesën dhe altruizmin, Njeriu që mbillte pemë e prek po aq thellë lexuesin sot, sa edhe kur u botua për herë të parë.