GRUAJA E KOLONELIT

Autor: Rosa Liksom
Përkthyes: Kujtim Ymeri
Numri i faqeve: 184
Çmimi: 800 lekë

Laponi, natë. Para oxhakut, një grua ripërshkon me mendje jetën e vet të gjatë: historinë e dhimbshme të dashurisë, që ka në sfond faqet e errëta të historisë së gjysmës së parë të shekullit XX, ato të një Finlande të shtrydhur midis Rusisë dhe Gjermanisë; frymëzimin nacionalist e antikomunist të “të Bardhëve”, me të cilin u ushqye në familje, në vitet 1910, ndërkohë që në kampet verore të vullnetarëve për atdheun merrte leksione sho-viniste e maskiliste; dhe pastaj… infektimin nga nazizmi. Më pas, nuk qe e vështirë për të, të gjente mishërimin erotik dhe sentimental te koloneli i pasur, i fuqishëm e autoritar, shumë më i madh se ajo, një i njohur i të atit në Gjermani, kur stërviteshin për të luftuar rusët. Zërat për abuzime e përdhunime që shoqërojnë figurën e kolonelit, nuk e ndalin. Si krijesë e egër e kënetave të Laponisë, është e lumtur të lëshohet në dehjen e dashurisë dhe erosin e vet jetik. Fejesa e gjatë është kulmi euforik i një absurdi, që do të bëhet hi e pluhur pas martesës. Ritreguar me sinqeritetin e vrazhdë, të saktë e shqetësues të një gruaje tashmë të moshuar, që e ka gjetur më në fund lirinë, rrugëtimi i saj personal përfshin figura e fakte historike të tri luftërave finlandeze, por edhe të Luftës së Dytë Botërore: ushtarakë, intelektualë gjermanofilë, Himleri e vetë Hitleri, tmerret në kampet e përqendrimit dhe në Poloninë e pushtuar më 1939. E keqja parakalon para syve të saj naivë të së kaluarës dhe na vjen ashtu siç ka ndodhur, e përshkruar nga një grua që po përpiqet të kuptojë plagët e saj dhe ato të një kombi.

Category:

Rreth autorit

Rosa Liksom

Rosa Liksom

Rosa Liksom, 1958, është një nga shkrimtaret dhe artistet më të njohura finlandeze. Lindi në provincën e Laponisë, në veri të Finlandës. Në moshën 17-vjeçare u shpërngul në Helsinki, ku studioi antropologji në Universitetin e Helsinkit. Lëvizi për disa kohë nëpër Europë. Për katër vjet jetoi në Kopenhagë dhe në Paris. Jetoi edhe në veri të Norvegjisë e në Islandë dhe më pas ndoqi studimet antropologjike në Universitetin e Moskës. Më 1987 u kthye përsëri në Helsinki.
Librin e parë, një vëllim me tregime, e botoi më 1985: Një natë ndalesë (Yhden yön pysäkki), i vlerësuar me çmimin J. H. Erkko. Prej atëherë i është kushtuar letërsisë dhe ka botuar 8 vëllime me tregime, 7 romane dhe 2 libra për fëmijë. Disa prej librave të saj janë ekranizuar me sukses.
Rosa Liksom është mjaft e vlerësuar për krijimtarinë e saj dhe ka fituar çmimet më të rëndësishme letrare nordike dhe finlandeze.

Rreth përkthyesit