Blogu

“Tri rrëfenja” dhe “Babai nuk ka më frikë nga të huajt” në shkollën “Ndoc Mazi” në Shkodër

Vendosëm të shkojmë në shkollën “Ndoc Mazi” në Shkodër, pas intervistës, në një TV kombetar, të një nxënëseje-aktiviste që bënte thirrje për ndihmë për nxënësit në nevojë të kësaj shkolle. Midis të tjerave, ajo foli edhe për bibliotekën e shkollës, e varfër dhe pa botime të reja.

Të ndihmosh me libra një shkollë, i bën mirë si librit edhe shkollës. Prandaj iu përgjigjëm menjëherë. Që nga dita e djeshme, 140 libra të rinj janë tashmë në raftet e bibliotekës së shkollës dhe në duart e nxënësve të “Ndoc Mazit”: libra me aventura, libra klasikë, libra që do t’u japin kënaqësinë e leximit fëmijëve. Kësisoj, ata do të kenë mundësinë të zgjedhin leximin e tyre të radhës, dhe kjo është mënyra më e mirë për të fituar zemrën e “lexuesit” edhe më kokëfortë.

Në takimin me nxënësit ishin Jeta Hamzallari, punonjëse e Diturisë dhe Albana Nexhipi, përkthyese e mirënjohur e librave për fëmijë. Dituria prezantoi e diskutoi për dy libra: “Tri rrëfenja” (Umberto Eco/Eugenio Carpi) dhe “Babai im nuk ka më frikë nga të huajt” (Rafik Schami)

“Kjo është një përrallë për fëmijët. Ose ndoshta jo. Është edhe per te rriturit. Gjithsesi, përpiquni t’ua tregoni. Ndoshta do ta njohin gjuhën e së nesërmes… “

Kështu e filloi edhe Albana prezantimin e librit “Tri rrëfenja” duke cituar vetë autorin e madh, Umberto Eco, që ka marrë përsipër të “flasë” me të vegjlit.

Për fat (të keq) ky libër i shkruar para disa dhjetëvjeçarësh, është po aq aktual sot, kur në botë ka shumë luftëra dhe kërcënime për hedhje bombash atomike, siç thotë shkrimtari te rrefenja:

Bomba dhe gjenerali

“Tani, ju duhet të dini/se bota është gjithashtu plot/me gjeneralë

që shtyjnë kohën duke mbledhur bomba. Kështu, gjenerali ynë/mbushte papafingon e vet me bomba.

“Kur të kem shumë”,/thosh ai,/“do të nis një luftë të bukur fort!”

Nxënësit kishin dëgjuar për luftën ne Ukraine dhe, siç u shprehën ata: nuk do ta donin kurrë luften! Edhe është kaq e rëndësishme që të kuptojmë se lumturia e çdo njeriu lidhet edhe me lumturinë e të tjerëve dhe veprimi i secilit ndikon tek të tjerët.

Për librin “Babai im nuk ka më frikë nga të huajt” dhe autorin e tij, Rafik Schami, me origjinë siriane, sot ndër autorët më të njohur gjermanishtfolës, i përkthyer në 21 gjuhë dhe me çmime të shumta, foli Jeta Hamzallari. Nxënësit qenë gjithë “sy e veshë”, sepse problemi i diskriminimit, i frikës nga të qenit ndryshe, i bullizmit etj. janë tema shumë të prekshme për ta.

“Si do të silleshit ju nëse babai apo dikush nga familja juaj apo nga shokët tuaj, do t’i trembej një njeriu me ngjyrë të errët në lëkurë? Si në librin tonë?” Rreth kësaj pyetjeje u zhvillua edhe diskutimi. Disa pjesë nga libri u lexuan aty dhe u bënë shumë përshtypje fëmijëve:

“Njëherë ishim në ashensor. Kur hyri një zotëri i zi dhe i shëndoshë, pashë që babait po i binin djersët palë-palë. Zgurdullova sytë, këtë nuk e pritja kurrë prej tij. – Baba, çfarë po të ndodh?- e pyeta.

– Asgjë, por të zinjtë më fusin frikën,- u përgjigj.

– Frikë? E përse?

– Sepse ngado të hedhësh sytë, i sheh.

Janë kaq shumë. Janë pa fund.

Pastaj janë të pisët. Dhe flasin me zë të lartë. Flasin një gjuhë që s’e merr vesh njeri. Ndryshojnë fare nga ne, janë të pasjellshëm.

“Për një gjë jam e sigurt: babai u shërua. Ai nuk do të kishte më frikë nga të huajt. Sidomos nga ata me lëkurë të zezë.”

Ky është një mesazh shume i bukur. Nuk e dimë se sa shpejt “shërohen” njerëzit në jetë. Por nxënësit e “Ndoc Mazit” ishin aty, dëgjuan, folën për këtë dhe mësimin e tij: tolerancën dhe dashurinë për tjetrin.

Ishte një ditë e bukur për ne të Diturisë dhe shpresojmë se qe e tillë edhe për nxënësit e shkollës. Në fund u dhanë edhe disa ndihma të tjera, kontribut i stafit të Diturisë.

Falënderojmë mësueset e gjuhës shqipe, zonjat Marilda Rakaj dhe Lindita Miloti dhe mësuesen e gjuhës angleze, Eliona Shkreli, si edhe drejtoreshën e shkollës, znj. Valbona Idrizi, qe na mirëpritën ne këtë aktivitet.

#shkollandocmazi#shtepiabotueseDituria#CreativeEurope4Books#UmbertoEco#EugenioCarmi#EdonQesari#RafikSchami#GreisaBoehlYmeri#Babaiimnukkamefrikengatehuajt#Trirrefenja#lexomediturine#libraperfemije