Rosa Liksom/ NUK DUHET T’I BRAKTISIM RUSËT NË SFERËN E NDIKIMIT TË PUTINIT | Pena
Letërsia, arti dhe shkenca kanë kapacitetin që t’i bashkojnë njerëzit për të ndërtuar ura drejt paqes…
Në këtë shkrim, njëri nga një varg shkrimesh për luftën në Ukrainë, një artiste dhe shkrimtare finlandeze argumenton se lidhjet kulturore me Rusinë mbeten thelbësore.
Rosa Liksom
Artiste dhe shkrimtare finlandeze
Linda dhe u rrita në pjesën perëndimore të Laponisë finlandeze. Meqenëse jetoja në afërsi me kufirin suedez arrita të merrja një kulturë dhe një këndvështrim liberal për botën. Si adoleshente, në vitet 1970, kaloja shpesh në Suedinë fqinjë, më të pasur, për të blerë rroba të modës, LP pop dhe revista amerikane të modës.
Isha 15 vjeç kur udhëtova për herë të parë përtej kufirit lindor të Finlandës, në Murmansk në bregdetin arktik të Rusisë. Isha e emocionuar nga qyteti, gjuha ruse dhe njerëzit, të cilët më dukeshin njëkohësisht të huaj dhe të njohur. Që atëherë, ngjarjet që ndodhën në Bashkimin Sovjetik dhe në Rusi u bënë pjesë e jetës sime. Në vitet 1980, studiova në Moskë dhe bëra udhëtime në pjesë të ndryshme të Bashkimit Sovjetik dhe, më vonë, në Rusi. Kam shkruar tri libra ngjarjet e të cilëve ndodhin në mjedise ruse.
Vitet e fundit të mandatit të Leonid Brezhnjevit si sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste Sovjetike, ishin një periudhë e trishtueshme. Kishte një mungesë kaq të madhe ushqimore në Moskë, saqë njerëzit ziheshin për pulën e fundit në dyqanin e ushqimeve.
Mandati i Mikhail Gorbaçovit si udhëheqës ishte i shkurtër, por krijoi një besim në të ardhmen, për shumë nga miqtë e mi sovjetikë. Gjatë Glasnostit dhe Perestrojkës, u hapën arkivat dhe u dëgjuan zërat e viktimave të mbijetuara të gulagëve. Më në fund, mund të diskutohej rreth katastrofave mjedisore, terrorizmit shtetëror, korrupsionit dhe gabimeve ekonomike të epokës së qeverisjes totalitare. Dhe gjatë gjithë jetës së tij, Gorbaçovi theksoi rëndësinë e dialogut.
Më 1988 më ftuan të merrja pjesë në një ekspozitë të artit pamor përkrah artistëve të “heshtur” të Moskës së epokës së re. U organizua në një kapanon të madh industrial në periferi të Moskës dhe u quajt Hermitazhi i Rinisë. Njerëzit mbajtën radhë për orë të tëra për të parë instalacionet për jetën e artistëve të Moskës në epokën sovjetike dhe vepra ekspresioniste plot energji. Koncepti im për artin sovjetik ndërroi kryekëput. Shumë prej artistëve që morën pjesë në atë ekspozitë, tashmë konsiderohen ndër emrat më të përmendur në Perëndim.
Pas ardhjes në pushtet të Jelcinit, gjërat filluan të ndryshojnë. Disa nga të njohurit e mi rusë u bënë multimilionerë, të tjerë përjetuan një varfëri të tmerrshme. Rrugët e Moskës u bënë pazare, ku mund të blije uranium, vrasës me pagesë, ose një lëng për t’i kthyer bretkosat në princa. Brezat e shkrimtarëve dhe artistëve me qëndrim kritik ndaj së kaluarës sovjetike u ngritën në udhëheqjen e jetës kulturore në ato vite. Lulëzoi një shumëllojshmëri kulturash artistike.
Për qytetarët rusë, vitet e para të Vladimir Putinit si president dukeshin shpresëdhënëse. Por në vitin 1999 ai fajësoi çeçenët për një varg shpërthimesh në Moskë dhe filloi luftën në Çeçeni, e cila u shndërrua në një tragjedi të përgjakshme dhe brutale. I njëjti agresion u përsërit në Gjeorgji, Siri, Krime dhe tani në të gjithë Ukrainën. Nuk është e vështirë të kuptosh mendësinë e Putinit. Ai është ankuar prej kohësh për turpin e humbjes së statusit të superfuqisë së Rusisë, premtimet e pambajtura të Perëndimit dhe zgjerimin e NATO-s më pranë kufijve të Rusisë.
Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, qeveria finlandeze, pavarësisht se kush ishte në pushtet apo përbërja e parlamentit, e bëri zakon të mos komentonte haptazi situatën politike në Rusi. Ndjekja e marrëdhënieve të mira me të gjithë fqinjët tanë, ka qenë premisa themelore e politikës së jashtme të Finlandës.
Marrëdhëniet ekonomike të pasluftës midis Finlandës dhe Bashkimit Sovjetik, të pangarkuara enkas nga kontradiktat për të drejtat e njeriut, u shërbyen të dyja palëve. Ndërmarrjet finlandeze i zgjeruan aktivitetet e tyre në Rusi, ku ofroheshin lëndë të para të lira dhe fuqi punëtore e lirë. Pasanikët nga zona e Shën Petersburgut blenë prona për pushime në Finlandën lindore, ndërsa finlandezët blenë shtëpi për investim në Shën Petersburg. Në Laponi dhe Finlandën Lindore veçanërisht, tregtia dhe turizmi lulëzuan, falë “shoping-ut” dhe pushimeve të turistëve rusë. U ndërtuan më shumë pika kufitare dhe nisi të funksiononte një lidhje e shpejtë me tren midis Helsinkit dhe Shën Petersburgut. Rusët u shpërngulën në Finlandë për të punuar ose për të studiuar dhe pakica rusishtfolëse në vendin tonë u rrit në afro 100,000 veta. Të rinjtë finlandezë kanë studiuar gjithashtu në universitete ruse. Pati shkëmbime aktive kulturore dhe shkencore. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, kufiri midis Finlandës dhe Rusisë ishte përsëri një hapësirë e gjallë, siç kishte qenë përpara revolucionit të vitit 1917.
Kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt të këtij viti, lidershipi politik i Finlandës filloi negociatat urgjente për t’u bashkuar me NATO-n. Disa u gëzuan për vendimin, të tjerët jo. Nxitimi i jashtëzakonshëm për anëtarësim mua personalisht më befasoi. Prej kohësh Finlanda e ka projektuar veten si një ndërmjetës paqeje dhe mosangazhimi ynë ushtarak ka qenë një burim krenarie. Pasi Rusia sulmoi Ukrainën, një shumicë e konsiderueshme e finlandezëve u shprehën se favorizonin anëtarësimin në NATO. Ndryshimi ishte befasues, sepse vetëm një muaj më pare, vetëm 28% e finlandezëve e kishin mbështetur anëtarësimin.
Agresioni i Rusisë ka sjellë ndryshime të tjera të mëdha në Finlandë. Me sanksionet e BE-së, periudha që përshkrova më lart është kthyer në histori. Lidhja hekurudhore midis Helsinkit dhe Shën Petersburgut u ndërpre dhe kalimi i kufirit është i vështirë. Shoqëritë finlandeze ua shitën bizneset e tyre ruse blerësve rusë. Rritja e kostove të energjisë, rritja e çmimeve të ushqimeve dhe inflacioni, ndërkohë, po ndëshkojnë finlandezët dhe të gjithë Evropën. Në pamundësi për të blerë dru nga Rusia, industria pyjore duhet të blejë një sasi të barabartë druri këtu në Finlandë. Kjo situatë ka çuar në shkatërrimin e pyjeve tona, deri në atë pikë sa kërcënohen angazhimet e Finlandës ndaj BE-së në lidhje me ciklin e karbonit pyjor. Kriza është e ashpër edhe për 35,000 njerëzit që jetojnë në Finlandë, të cilët kanë shtetësi ruse dhe finlandeze. Nëse vazhdon të përshkallëzohet, shtetësia e dyfishtë mund t’u shkaktojë atyre probleme.
Toni i matur i përgjigjes së Putinit ndaj aplikimit të Finlandës për NATO-n ishte një surprizë. Mendova se Rusia do të reagonte menjëherë dhe në mënyrë agresive, sepse Putini e ka theksuar prej kohësh rëndësinë e mosangazhimit ushtarak të Finlandës. Kufiri ynë prej 1340 km (833 milje) së shpejti do të bëhet kufiri më i gjatë i përbashkët midis NATO-s dhe Rusisë. Por është e pamundur për mua ta shoh NATO-n si një aleancë që do të nxisë paqen. Me anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë, rëndësia ushtarake e Detit Baltik, të cilin prej kohësh e kemi quajtur Deti i Paqes, do të ndryshojë tërësisht. Dhe kam frikë se, si një vend kufitar, Finlanda do të jetë në vijën e parë nëse fillon një luftë bërthamore. Dhe për shkak se ekonomitë e SHBA-së dhe Evropës po shkojnë drejt recesionit, pasiguria rrezikon të nxisë populizmin e së djathtës. Kujtesa e njerëzve është e shkurtër dhe gabimet e vjetra po përsëriten në pritje të një rezultati tjetër. Në këtë mjegull krizash të ndërlidhura, bota perëndimore ka izoluar rusët. Qeveria ruse, ndërkaq, i ndëshkon qytetarët e saj kur ata kundërshtojnë luftën dhe kur kërkojnë demokraci.
Ajo që më shqetëson veçanërisht, janë planet finlandeze dhe të BE-së për të ndërprerë çdo lidhje të mbetur shkencore dhe kulturore me Rusinë. Ndërprerja e këtyre lidhjeve thjeshtë ndihmon qeverinë e Putinit në përpjekjet e veta për të izoluar Rusinë nga karakteristikat e supozuara dekadente seksuale, nga pluralizmi dhe të drejtat e njeriut të Evropës.
Nëse populli rus izolohet dhe lihet tërësisht në sferën e ndikimit të Putinit, ekziston rreziku që ajo që ndodhi në republikën e Vajmarit pas Luftës së Parë Botërore, të përsëritet. Nëse ndërtojmë mure mes njerëzve dhe izolojmë popullin rus nga pjesa tjetër e Evropës, pasojat mund të jenë të frikshme.
Çdo luftë, qoftë e shkurtër apo e zgjatur, deri më tani ka përfunduar me një marrëveshje paqeje dhe rindërtim të mëvonshëm. Sa më të lartë ta ndërtojmë murin për të ndarë 146 milionë banorët e Rusisë nga pjesa tjetër e Evropës, aq më e gjatë do të jetë tryeza e negociatave për marrëveshjen tonë të paqes.
Ngjarjet e romanit tim “Kabina Nr. 6” dhe filmi i Juho Kuosmanen me të njëjtin titull janë vendosur në një hekurudhë trans-siberiane dhe të dy trajtojnë mënyrën se si lidhjet midis njerëzve janë të mundshme, pavarësisht dallimeve të tyre kulturore, frikës dhe antipative.
Historia nis kur dy persona, një grua finlandeze dhe një burrë rus, detyrohen të udhëtojnë së bashku për dy javë në të njëjtën kabinë të ngushtë treni. Në fillim ndiejnë një neveri të thellë për njëri-tjetrin dhe mendojnë se nuk kanë asgjë të përbashkët. Por sapo hyjnë në dialog, fillojnë të afrohen, dhe përfundimisht edhe të kuptojnë njëri-tjetrin.
Një bisedë e tillë mes Rusisë, Ukrainës dhe Perëndimit është shpresa ime. Letërsia, arti dhe kërkimi kanë kapacitetin për t’i bashkuar njerëzit për të ndërtuar ura drejt paqes – edhe ata që jetojnë në realitete të ndryshme.
Përktheu Mariana Ymeri/ Marrë nga The Guardian, 27 Oct 2022
Rosa Liksom është shkrimtare dhe artiste finlandeze. Përshtatja filmike e romanit të saj “Kabina Nr. 6” (botuar në shqip nga DITURIA) fitoi Çmimin e Madh në Festivalin e Filmit në Kanë 2021. Në vitin 2016, Franca e nderoi me titullin “Chevalier des Arts et des Lettres”.
Shtëpia botuese Dituria sapo ka botuar edhe një roman tjetër të Rosa Liksomit, me titullin “Gruaja e kolonelit”, përkthyer nga Kujtim Ymeri.