Blogu

“Gruaja e Kolonelit” e Rosa Liksom, me botuesin Petrit Ymeri | “Bibliotekë” në RTSH

“Biblioteka” e Arta Markut kishte kesaj here ne qender nje shkrimtare finlandeze, Rosa Liksom, dhe vepren e saj. Per ata qe nuk e ndoqen, biseda midis drejtorit te Sh.B. Dituria dhe Artes, shkon shume me larg sesa nje diskutim i ketij libri interesant “Gruaja e kolonelit” dhe letersise finlandeze, duke u pasuruar me tema per historine, kulturen dhe te sotmen e Europes.

Falemnderit #ArtaMarku #Biblioteke #RTSh #letersiafinlandeze #roman #RosaLiksom #CreativeEurope4Books

“Gruaja e Kolonelit” të Rosa Liksom, me botuesin Petrit Ymeri | “Bibliotekë” në RTSH – YouTube

Koloneli e njofton të shoqen se do të vijë në shtëpi me një mysafir. Ai është Albert Shpeer, arkitekt dhe ministër i Armatimeve të Fyhrerit. Kur mbërriti, Gruaja vë re se Shpeeri çalon dhe qysh në pamje duket shumë i shqetësuar, as ushqimin nuk e prek. Vetëm pas darke, pasi e zbrazin një shishe konjak së bashku me Kolonelin, mysafiri tregon se u kishte shpëtuar xhelatëve para se ta kapnin ndërsa Fyhreri kishte urdhëruar ta vrisnin. Koloneli merr në telefon menjëherë Berlinin dhe u thotë të vijnë e ta marrin ministrin e Armatimit, tradhtarin pra.

Kjo është një copëz nga rrëfimet e librit “Gruaja e Kolonelit” i Rosa Liksom-it. Një rrëfim ku përzihen emra personash realë të marrë nga historia me H të madhe, me emra personazhesh të trilluar dhe gjysmë të trilluar.

Rosa Liksom ka treguar se në rrethin e saj të të njohurve kish qenë e lehtë të gjente një çift: një kolonel dhe gruan e tij që u bënë burim frymëzimi për librin e saj. Madje gruaja e çiftit në fjalë kish qenë një shkrimtare: Annikki Kariniemi. “Sigurisht libri është trillim – thotë Rosa Liksom, – por është mbështetur në historinë e shkrimtares dhe burrit të saj kolonel”.

Pastaj, padyshim që shkrimtarja, Rosa Liksom kësaj here, nuk mund të mos e përfshijë edhe veten në libër. Dhe e ka futur pikërisht te personazhi i GRUAS së Kolonelit. Po, thjesht GRUAJA, pa një emër të përveçëm sikurse edhe i shoqi është thjesht KOLONELI pa një tjetër emër më të përveçëm. Por, teksa për burrin, autorja e romanit, ka marrë tipare andej këndej, për gruan ka marrë nga vetja sidomos kur përshkruan lidhjen e saj me natyrën siç e thotë edhe vetë: “Kur përshkruaj natyrën dhe skenat në të, jam duke treguar përvojat e mia”.

***

Ngjarjet e romanit GRUAJA E KOLONELIT, zhvillohen në Finlandën e Luftës së Dytë Botërore. Finlandezët janë aleatët e nazistëve, mbështetës të Hitlerit.

Por sigurisht lufta është vetëm një sfond, tejet interesant e që ia shton vlerat librit me detaje historike, por është megjithatë një sfond e pra jo qëllimi i autores, por ndihmës për të.

Rosa Liksom ka shkruar një libër të karakterit psikologjik:

Një kolonel që ekziston për luftën, ëndërron luftën, mezipret luftën. Dhuna që përçon nga çdo pore e qenies së tij lidhet edhe me faktin që është i destinuar të ketë një lidhje të fortë dhe organike me luftën. Vështirë ta ndash shkakun dhe pasojën mes dhunës brenda njeriut dhe luftës jashtë tij. Me gjasë qoftë njëra qoftë tjetra janë shkak e pasojë njëherësh duke ndërruar vendet.

Përballë dhunës së KOLONELIT është një GRUA dhe jo luftëtarët në front. Pësuesja e dhunës ka një lidhje të çuditshme me dhunuesin që transformohet me kohën.

Në fillim shohim gruan e dashuruar që jeton një periudhë të lumtur dhjetëvjeçare fejese. Pastaj i dashuri shndërrohet në dhunues sistematik befasues. Asgjë brenda tij nuk e pengon ta çojë të shoqen deri në pikën ku një fill i padukshëm e ndan jetën nga vdekja. E çuditshme! Kjo ndodh pikërisht në momentin kur e fejuara e një kohe të gjatë, bëhet zyrtarisht GRUAJA si të ishte komanda e një çelësi që e lejon të kapërcejë një prag: nga mosdhuna në dhunë.

Sakaq gruaja ka ndjesinë se destini i saj është pësimi i dhunës dhe rrugë tjetër për të nuk ka. Me gjasë e sheh dhunën si haraçin e pashmangshëm që i duhet të paguajë për ta pasur PUSHTETIN që mund t’ia sigurojë vetëm prania e Kolonelit në jetën e saj.

… Në fillim mes të tjerash atë e ka joshur edhe pushteti shumëdimensional (moshë, pjekuri, dije, fuqi, guxim, rrugë të hapura…) i Kolonelit që ai e përçon përmes të gjitha poreve të qenies së tij. Më vonë teksa nuk ikën prej tij, për të shmangur kësisoj dhunën shkatërrimtare që pëson, është mundësia e humbjes së pushtetit që e bën të ngurrojë. Në fund kur ikën dhe shpëton, e ka të qartë se pushtetin e ka marrë me vete, e ka brendësuar dhe kudo që të shkojë e më këdo që të jetë, është radha e saj për ta përçuar…

Tashmë KOLONELI është bërë vetë GRUAJA por pa dhunën tipike të burrit…

***

Për Kolonelin dhe Gruan;

Për dashurinë dhe dhunën që i shkrijnë kufijtë;

Për dalldinë që arsyeja nuk e përligj;

Për psikologjinë njerëzore;

Për historinë e njerëzimit;

Për Finlandën e viteve ‘40

Për alenacën me Hitlerin;

Për natyrën ekzotike fare pranë Polit të Veriut…

Për Rosa Liksom-in, shkrimtaren që ka lindur si Anni Ylävaara por që ka zgjedhur të shkruajë me pseudonim duke i dhënë vetes emrin Rosa në nderim të revolucionares Rosa Luxemburg dhe mbiemrin LIKSOM që në finlanisht do të thotë SIKURSE (sikurse Roza, pra).

Për GRUAN E KOLONELIT të përkthyer në shqip nga Kujtim Ymeri,

me Petrit Ymerin

sonte, ora 24. 00, në RTSH1

BIBLIOTEKË.