Blogu

“TRI RRËFENJA” & “BABAI IM NUK KA MË FRIKË NGA TË HUAJT” në shkollën “Sevasti Qiriazi”

Ne prag te 23 prillit, dites se Librit!

Ne Korçë, duke diskutuar per librin “Babai im nuk ka me frike nga te huajt”

#shtepiabotuesedituria#CreativeEurope4Books#rafikschami

Sot patëm një takim shumë të bukur! Ishim në klasat e pesta të mësueseve Albana Janko dhe Miranda Qiriazi në shkollën “Sevasti Qiriazi”, për të folur e diskutuar rreth dy prej librave më të rinj që ka sjellë Shtëpia Botuese DITURIA për lexuesit e vegjël (por realisht, për të gjithë): TRI RRËFENJA nga Umberto Eco, ilustruar nga Eugenio Carmi, përkthyer nga Edon Qesari, si dhe BABAI IM NUK KA MË FRIKË NGA TË HUAJT nga Rafik Schami, përkthyer nga Greisa Ymeri Bohl. Libra të shkruar për fëmijë nga autorë që kanë shkruar përgjithësisht për të rritur… duhet të jetë e vërtetë që në një pikë je aq i rritur sa t’u rikthehesh përrallave dhe rrëfenjave. Folëm për frikën e pakuptimtë nga të huajt, gjë të cilën nxënësit nuk e dënuan, por me empati dhe mençuri e njohën si një problem që mund dhe duhet mposhtur, ashtu siç bëri personazhi i Schamiut. Paskëtaj u hodhëm në botët fantastiko-shkencore që na shpërfaqnin tri rrëfenjat e Ecos, duke na dhënë mundësinë të diskutonim për rrezikun e bombave që gjeneralët i ruajnë ende, për mënyrën se si mund (dhe duhet) të gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe të arrijmë një bashkëpunim si banorë të planetit Tokë për të realizuar gjithë idealet që kanë të bëjnë me të. Nxënësit i kishin lexuar librat dhe jo vetëm që i kishin pëlqyer dhe ishin të zellshëm në diskutimin e tyre, por edhe shpalosën fantazitë për të hamendësuar se ç’mund të kishte ndodhur pas secilës rrëfenjë. Ishte një kënaqësi e vërtetë të shihje dhe të dëgjoje këta fëmijë kaq inteligjentë dhe të përgatitur të flisnin dhe të pyesnin me kaq pasion rreth librave që kishin në duar, por edhe rreth proceseve të shkrimit dhe botimit, gjë që më gëzon shumë, sepse u gjendëm në terrenin e atyre që mund të jenë krijues të së ardhmes. E për kalitjen e mendjeve që nesër do të jenë padyshim ndër më të ndriturat, por edhe për nxitjen e këtyre pasioneve për leximin dhe krijimin, duhen falënderuar ato, mësueset, që me përkushtim të palodhur kryejnë detyrën e tyre fisnike. Dhe sigurisht, i falënderoj që na mirëpritën sot në klasat e tyre të ngrohta.