“Te pandarat” – Simone de Beauvoir | “Bibliotekë” në RTSH – YouTube
“Sartri nuk ishte dakord që ajo ta botonte librin. Ajo mund të ketë pasur dilemat e veta. Ndoshta, nga të gjithë librat e saj ishte më shumë autobiografiku? Ndoshta kishte rezerva për cilësinë si çdo autor i madh me shpirt autokritik?
Sidoqoftë librit i takoi të rrinte në sirtar plot 69 vjet nga koha e shkrimit dhe 37 vjet pas vdekjes së autores. Më në fund vendosi vajza e birësuar që ta botonte. Përderisa nëna birësuese e kish ruajtur, një kuptim e kish. Për më tepër është një libër i shkëlqyer.
Titullohet TË PANDARAT dhe autorja është SIMONE DE BEAUVOIR.
Libri e pati shfaqjen e parë eksluzive në Francë në vitin 2020 dhe s’ka pak që ka dalë në gjuhën shqipe (Botimet Dituria)
***
Libri rrëfen historinë pasionante të miqësisë së Simonës me Zazën. U njohën kur ishin 9 vjeç dhe Zaza vjen nxënëse e re në klasën ku Simona ishte e para. Zaza sjell me vete një përmasë të panjohur por elektrizuese e për pasojë të dëshirueshme: LIRINË. Ajo shkonte e vinte vetëm në shkollë, në një kohë që asnjë vajzë nuk e bënte, mësueseve u përgjigjej pa u përtypur, dhe e thoshte gjithnjë mendimin siç e kishte. Dhe për më tepër, mendimet i kishte tejet interesante. Është intelektualja e ardhshme, të dyja janë, bashkë me Simonën, por destini i Zazës është kryekëput ndryshe nga i Simomës. Papritmas, Zaza, vdes. Apo, ndoshta jo krejt papritmas. Sepse laku ka ardhur duke u shtrënguar ngadalë dhe duke u bërë torturues. Liria e fëmijërisë është shndërruar në robëri. Në një të tillë robëri frymëzënëse… Dhe liria është e rëndësishme. Sigurisht, disa as që e dinë se ekziston e për pasojë nuk ia vënë re mungesën, ama disa të tjerë nuk jetojnë dot pa lirinë siç nuk munden pa ajrin… Kështu Zaza.
TË PANDARAT është historia e Simonës dhe Zazës e shndërruar në letërsi.
***
Për Simonën dhe partnerin e saj të jetës, Sartrin;
Për Zazën dhe realitetin mbytës që e rrethonte;
Për nënën në njërën anë dhe të fejuarin e fshehtë në anën tjetër që e bënë të ndihej si brenda një morse në shtrëngim e sipër;
Për këndvështrime interesante mbi:
Jetën dhe vdekjen;
Lirinë dhe robërinë;
Gruan dhe shoqërinë;
Dashurinë dhe miqësinë…”







