ÇELESTJA, PLANETI IM

Nga Timothée de Fombelle
Përktheu Venera Domi
700 lekë
92 faqe

Një histori dashurie mes dy të rinjve? Një aventurë ekologjike? Është e vështirë ta futësh në korniza këtë roman të shkurtër të De Fombelles, shkrimtarit francez, i cili tashmë ka fituar disa çmime të rëndësishme në Francë dhe jashtë saj.

Në një qytet të së ardhmes, që rritet vetëm vertikalisht, jeton një djalë i ri që ha, fle, shkon në shkollë, bën detyrat e shtëpisë si bashkëmoshatarët dhe prapëseprapë ndryshon nga të tjerët. Jeton gjithmonë i vetëm, sepse e ëma, një grua në karrierë, është e zënë njëzet e pesë orë në ditë duke drejtuar një ndërmarrje të stërmadhe.

Atij doemos që nuk i mungon asgjë: frigoriferi po “shembet” nga blerjet online, mjafton të hapë gojë dhe lojërat elektronike të fjalës së fundit i mbërrijnë si me magji. Por ajo që i mungon është diçka tjetër…

Për fat të mirë ka Brisin, një shok të dashur që i bën shoqëri dhe ka një baba fantastik. Por djaloshi “jetim” ndihet gjithsesi i vetmuar. Derisa në prag të katërmbëdhjetëvjetorit, zemra i del nga kontrolli: një ditë, një vajzë shumë e ëmbël, Çelestja, vjen në klasën e tij dhe ja ku ndizet shkëndija, duke shpërndarë yje dhe zemra kudo! Por bukuroshja zhduket dhe kërkimi i saj i dëshpëruar do t’i zbulojë djaloshit të kësaj historie të gjitha plagët e Planetit, që duhet shpëtuar, ashtu si vetë Çelestja…

Category:

Rreth autorit

Timothée de Fombelle

Timothée de Fombelle

I lindur më 1973 në Paris, Timothée de Fombelle kaloi një pjesë të fëmijërisë në Marok dhe Bregun e Fildishtë. Në gjimnaz themeloi një trupë teatrore, shkroi dhe drejtoi pjesë teatrale dhe kjo dashuri për dramaturgjinë nuk e braktisi kurrë. Pasi u bë profesor i letërsisë, dha mësime në Francë dhe Vietnam. Në vitin 2006, shkroi romanin e parë për të rinjtë me personazh Tobiasin: i përkthyer në tridhjetë gjuhë, historia e këtij heroi prej një milimetri e gjysmë meritoi shumë çmime të rëndësishme letrare. Që atëherë, romanet e tij kanë ndjekur njëri-tjetrin, duke i shoqëruar lexuesit e të gjitha moshave në aventura të forta, duke u dhënë vendin e nderit imagjinatës, emocionit dhe poezisë. Midis viteve 2016 dhe 2020, ai u zgjodh pesë vjet radhazi për çmimin prestigjioz suedez të të rinjve Astrid Lindgren.
Çelestja, planeti im është romani i tij më i fundit, i përkthyer dhe botuar tashmë në shumë gjuhë.

Rreth përkthyesit