Në një seminar që filloi në orën 17.00 dhe u mbyll në orën 20.00, përkthyes, botues, studentë diskutuan problemet e përkthimit të letërsisë për fëmijë.
Moderatori i seminarit, përkthyesi Ilir Baçi, ia dha fjalën Ilide Carmignanit, që foli rreth tendencave të editorisë italiane në këto vitet e fundit, vendin që zë letërsia e vendit ne treg, letërsia e përkthyer, dhe letërsia sipas vendeve. Fjala e saj do të publikohet ditët e ardhshme e përkthyer në faqen e Shoqatës.
Seminari u konceptua i ndarë në tri pjesë: pjesa teorike, çfarë përkufizohet si letërsi për fëmijë dhe dy pjesë te tjera, politikat e botimit si dhe puna konkrete në përkthim, përkthimi i elementeve kulturore, mënyrat e përkthimit, amëtarizim apo tëhuajzim, zëri i personazheve etj.
Letësia që u drejtohet fëmijëve është një nga mjetet më të mira për ata, për të zbuluar një pjesë të vogël të botës por edhe për të zbuluar vetveten: është një mjet apo medium që hapet ndaj pyetjeve dhe zbulimeve dhe u jep fëmijëve shumë, sepse përmban farat e rritjes, mençurisë, argëtimit dhe historisë së njerëzimit dhe brezave. Letërsia e përkthyer për fëmijë zë një vend të rëndësishëm, ose më saktë vendin kryesor në letërsinë që u ofrohet fëmijëve nga botuesit shqiptarë, prandaj kërkon edhe një kujdes të veçantë edhe nga përkthyesit por edhe nga botuesit.
Në seminare folën shumë përkthyes, pati debate të vlefshme, u rrahën mendime dhe u la një “takim” i ri , pa pritur panairin tjetër të radhës. Në ditët që do të vijojnë do të publikojmë disa nga referimet e kolegëve.






