NGA ASNJËRA ANË
Julia Navarro
Përktheu Flavia Kaba
392 faqe
Çmimi 1400 lekë
Liban, dje. Abir Nasri është ende adoleshent kur bëhet dëshmitar i vrasjes së familjes së tij gjatë një operacioni special të ushtrisë izraelite në jug të Libanit. Para trupave të pajetë të së ëmës dhe motrës së vogël, Abiri betohet se do të marrë hak.
Izrael, sot. Çdo natë, fjalët kërcënuese të Abirit i dalin në ëndërr Jakov Bodenit, një ushtar që ka marrë pjesë në atë operacion teksa kryente shërbimin e detyruar ushtarak, duke u përballur me situatën e vështirë për të luftuar me armiq që në fakt nuk i kishte zgjedhur kurrë. Jakovi, bir i dy prindërve francezë, vazhdon të ndihet si i huaj në Izrael dhe përpiqet të mësohet me identitetin e ri, meqë ndër vena i rrjedh gjak hebre…
Paris, sot. Pas tragjedisë, Abiri shkon në Paris të jetojë pranë të afërmve, ku është i shtrënguar të përballet me dy botë të kundërta. Nga njëra anë familja e ngushtë, e mbyllur në traditat më të rrepta, nga ana tjetër shoqëria perëndimore e hapur, që i ofron liri, e mishëruar nga dy gra: kushërira e tij Nura, që rebelohet ndaj autoritetit fanatik të të atit, dhe Mariona, një vajzë me të cilën Abiri bie marrëzisht në dashuri.
Abiri dhe Jakovi do të takohen përsëri, vite më vonë, nën zjarrin e sulmeve të një organizate islamike që mbjell terror në zemër të Europës. Viktima të fantazmave të së kaluarës dhe të një urrejtjeje për të cilën nuk kanë faj, a do të munden ata të çlirohen nga kufizimet e imponuara prej traditës dhe të zgjedhin një rrugë tjetër?
Nga asnjëra anë është një udhëtim në kufijtë e ndërgjegjes së dy burrave, që janë të detyruar të jetojnë sipas identiteteve që nuk i kanë zgjedhur dhe prej të cilave është e vështirë të shpëtosh…
Një histori që i ka rrënjët në natyrën njerëzore dhe në dritëhijet e saj. Një roman drithërues, i cili na fton të reflektojmë për çdo siguri tonën.
Rreth përkthyesit
Flavia Kaba
Flavia Kaba ka studiuar në shkollën e mesme “Safiye Sultan Kiz Koleji”, Stamboll. Më 2001-2006 kreu studimet universitare në Fakultetin e Gjuhës, të Historisë dhe Gjeografisë në Universitetin e Ankarasë, ku u diplomua për Gjuhë dhe Letërsi Spanjolle. Ka kryer specializime në fushën e letërsisë në universitetin Complutense në Madrid. Nga 2010 është pedagoge në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës.Ka marrë titullin doktore e shkencave letrare. Ka kryer shumë kualifikime e trajnime brenda dhe jashtë vendit. Autore artikujsh e studimesh të botuara në revista shkencore e kulturore brenda dhe jashtë vendit për hapësirën e përbashkët kulturore spanjolle dhe latino-amerikane, për aspektet stilistike të letërsisë spanjolle etj. Ka marrë pjesë në seminare, konferenca, kolokiume, workshope në Universitetin e Tiranës për probleme të përkthimit, të semantikes, të morfologjisë apo sintaksës së spanjishtes, të letërsisë spanjolle dhe latino-amerikane, të spanjishtes si gjuhë e huaj e dytë etj. Shkruan në revista të ndryshme, të specializuara për probleme të përkthimit, për autorë dhe për letërsinë spanjolle e latino-amerikane. Është e pranishme në mediat kulturore si specialiste për letërsinë dhe autorë spanjollë e latino-amerikanë. Është përkthyese nga origjinali e disa romaneve të autorit spanjoll Carlos Ruiz Zafón: "I burgosuri i Qiellit", "Princi i mjegullës", "Pallati i mesnatës", "Dritat e shtatorit", "Labirinti i shpirtrave". Per perkthimin e librit "Qyteti i avullit", te po ketij autori, Flavia Kaba u nderua ne Panairin e 24-t te librit me Çmimin e perkthyeses me te mire te vitit. "Premtimi", "Purgatori" jane disa tituj te tjere te rendesishem te perkthyer nga Flavia Kaba.