GRUAJA E KOLONELIT
Autor: Rosa Liksom
Përkthyes: Kujtim Ymeri
Numri i faqeve: 184
Çmimi: 800 lekë
Laponi, natë. Para oxhakut, një grua ripërshkon me mendje jetën e vet të gjatë: historinë e dhimbshme të dashurisë, që ka në sfond faqet e errëta të historisë së gjysmës së parë të shekullit XX, ato të një Finlande të shtrydhur midis Rusisë dhe Gjermanisë; frymëzimin nacionalist e antikomunist të “të Bardhëve”, me të cilin u ushqye në familje, në vitet 1910, ndërkohë që në kampet verore të vullnetarëve për atdheun merrte leksione sho-viniste e maskiliste; dhe pastaj… infektimin nga nazizmi. Më pas, nuk qe e vështirë për të, të gjente mishërimin erotik dhe sentimental te koloneli i pasur, i fuqishëm e autoritar, shumë më i madh se ajo, një i njohur i të atit në Gjermani, kur stërviteshin për të luftuar rusët. Zërat për abuzime e përdhunime që shoqërojnë figurën e kolonelit, nuk e ndalin. Si krijesë e egër e kënetave të Laponisë, është e lumtur të lëshohet në dehjen e dashurisë dhe erosin e vet jetik. Fejesa e gjatë është kulmi euforik i një absurdi, që do të bëhet hi e pluhur pas martesës. Ritreguar me sinqeritetin e vrazhdë, të saktë e shqetësues të një gruaje tashmë të moshuar, që e ka gjetur më në fund lirinë, rrugëtimi i saj personal përfshin figura e fakte historike të tri luftërave finlandeze, por edhe të Luftës së Dytë Botërore: ushtarakë, intelektualë gjermanofilë, Himleri e vetë Hitleri, tmerret në kampet e përqendrimit dhe në Poloninë e pushtuar më 1939. E keqja parakalon para syve të saj naivë të së kaluarës dhe na vjen ashtu siç ka ndodhur, e përshkruar nga një grua që po përpiqet të kuptojë plagët e saj dhe ato të një kombi.
Rreth përkthyesit
Kujtim Ymeri
Kujtim Ymeri ka lindur në Tiranë. Kreu shkollën e mesme në Tiranë më 1965, studimet e larta për gjuhë shqipe dhe letërsi në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, Universiteti i Tiranës, më 1969. Në vitet 1970-1972 punoi si gazetar në Radiotelevizionin Shqiptar, më 1972-1975 pedagog i letërsisë së huaj bashkëkohore në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë (1975-1978, me kohë të pjesshme); nga 1978-1990 bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Studimeve M-L. Gjatë viteve 1991-1993 zëdhënës për shtypin në Këshillin e Ministrave; në vitet 1994-1997 redaktor në Shtëpinë Botuese DITURIA; në vitet 1992-1998 anëtar i Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar; në vitet 1997-2000 – Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Stamboll dhe deri më 2012 në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në Institutin Kombëtar të Diasporës, Drejtorinë e Shtypit dhe Akademinë Diplomatike. Nga viti 2012 është përkthyes i lirë. Njohës i disa gjuhëve të huaja, si: anglisht, italisht, rusisht, Kujtim Ymeri është përkthyes i shumë veprave letrare, historike e filozofike. Përmendim: Salla e ujqërve, H. Mantel; Një hero i kohës sonë, M. Lermontov; Përballë detit, D. Vogel; Në lulen e moshës, S. Y. Agnon; Majat e Shalës, R. W. Lane; Gjuha e harruar, E. Fromm; Europa Lindore Qendrore midis dy luftërave botërore, J. Rothschild; Magjistratura në demokracitë bashkëkohore, Carlo Guanieri&Patrizia Pederzoli; Ç’është demokracia?, G. Sartori; Bota që krijoi Amerika, R. Kagan; Bizantinët, A. Cameron; Europa Juglindore nën sundimin osman, 1354-1804, P. F. Sugar; Shqipëria: Ngritja e një mbretërie, J. Swire; Konservatorizmi: Ëndrra dhe realiteti, R. Nisbet; Përse nuk jam i krishterë, B. Russell; Politikat krahasuese: Popujt dhe teoritë në ndryshimin e botës, L. C. Maye; Orientimi seksual: një e drejtë njerëzore. Një ese për Ligjin Ndërkombëtar të të Drejtave të Njeriut, E. Heinze; Lindja e Europës, R. S. Lopez; Historia e Spanjës, F. G. de Cortázar & J. M. G. Vesga; Luftërat ballkanike, E. Ivetic; Historia e Rusisë, E. V. Anisimov; Dita e opriçnjikut, Vladimir Sorokin; Historia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, M. C. Carnes & J. A. Garraty; Historia e Kanadasë, D. Morton etj.