MBRETI KËMBËBRETKOSË DHE PËRRALLA TË TJERA

Janneke Schotveld
Përktheu: Albana Shala
164 faqe
Çmimi 800 lekë

Ky libër me pesëmbëdhjetë përralla moderne nga autorja e njohur holandeze Janneke Schotveld do t’i terheqe e joshe femijet ne nje bote te bukur, me personazhe fantastike. Përrallat flasin për Ukën, i cili është i vogël në shtat, por mjaft i guximshëm për të hyrë në pyllin ku jeton një gjigant i rrezikshëm mburracak; për kalorësen trime që “mpreh shpatën, ngjesh armaturën dhe i hipën biçikletës” që të çlirojë princin e ëndrrave nga kështjella ku e “ruajnë” prindërit; për shtrigën shtatëvjeçare Hetjen, që merr si dhuratë për ditëlindje një fshesë, por nuk guxon të fluturojë me të; për princeshën Lupinë, që duhet të zgjedhë burrin midis shtatëqind princave, por nuk i pëlqen askush dhe nuk i bën zemra “tak”; për mbretin të cilit i pëlqejnë shumë këmbët e bretkosës – derisa, një ditë prej ditësh kthehet edhe vetë në një bretkosë.
Dy nga përrallat më të bukura të këtij libri, “Shkronjangrënësi” dhe “Peshkatari i molave të letrës”, ku Schotveldi shfaqet si një tregimtare e pazakontë, sipas kritikëve, shumë shpejt do të konsiderohen klasike.
Mbreti këmbëbretkosë dhe përralla të tjera është një përmbledhje përrallash prekëse, por edhe plot humor, që nuk u ngjajnë gjithmonë përrallave tradicionale. Çdo përrallë ka piktorin e vet, emra të shquar në botën e ilustrimeve, si: Martijn van der Linden, Thé Tjong-Khing, Linde Faas, Milja Praagman dhe Annet Schaap, një zgjedhje që e bën librin me të vërtetë tërheqës.

Category:

Rreth autorit

Janneke Schotveld

Janneke Schotveld

Janneke Schotveldi (lindur më 1974) e shkroi librin e parë në vitin 2007, Villa Fien, që u nderua me çmimin Hotze de Roos. Librat e Jannekes u drejtohen kryesisht fëmijëve shtatë vjeç e lart dhe janë plot humor e fantazi. Në vitin 2017, Janneke shkroi librin-dhuratë për Javën e Librit të Fëmijëve Supë maceje dhe, së fundmi, botoi librat e saj të njohur me tregime Njeriu mace dhe Aventurat e kalorësit të guximshëm.
Mbreti këmbëbretkosë dhe përralla të tjera është vlerësuar nga kritika si një nga librat më të mirë për fëmijë të letërsisë së Vendeve të Ulëta. Ky është libri i dytë në shqip i kësaj autoreje botuar nga Dituria, pas librit Gjyshja në arrati, që është pritur me shumë interes nga lexuesi i vogël.

Rreth përkthyesit

Albana Shala lindi në Shkodër. Në vitin 1990 përfundoi studimet për Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës. Më 1995 studioi për të Drejtën Ndërkombëtare në Institutin e Studimeve Shoqërore (ISS) në Hagë, Holandë, dhe më pas, më 1997, po në këtë institut mori master në Politikat e Zhvillimit. Në vitet 1999-2001 ndoqi programin e mësimit të gjuhës holandeze në Universitetin e Amsterdamit. Në vitet 1990-1992 punoi si redaktore në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori” në Tiranë. Më 1998-2011 ishte koordinatore programi në fondacionin “Pres Now” në Amsterdam, Holandë. Prej vitit 2011 është koordinatore programi në “Free Press Unlimited”, fondacion holandez që mbështet mediat e pavarura në zona konflikti dhe në vendet në zhvillim. Prej vitit 2014, për dy mandate radhazi, u zgjodh në krye të bordit të IPDC (Programit Ndërkombëtar të Zhvillimit të Komunikacionit) të UNESCO-s dhe mbetet anëtare e këtij bordi. Prej vitit 2015 është anëtare e bordit të fondacionit “In den Vreemde” (në ndihmë të artistëve në rrezik) dhe që në nëntor të 2019 e drejton këtë bord. Albana Shala është autore e disa veprave: Në shqip: Papa dixhital, 2008, i vlerësuar me çmimin Migjeni nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë më 2009; Parajsa është e portokalltë, 2010; Ngarkesa e fëmijës, 2013; Bisedë me dhjetë miq, 2017 Në holandisht, gjermanisht, anglisht: De digitale Paus, 2009; Ten conversations with Albanians, 2017 Tregime, poezi e shkrime në përmbledhje: Oost Blok Boek: een reis langs de sporen van het communistische verleden; Een dansje in de regen; Ablak, Literatur und Kritiek, Lichtungen. Përkthime nga gjuha holandeze: Romani Darka me autor Herman Koch, 2016; romani Virgjëresha holandeze me autore Marente de Moor, 2017, romani Uria me autor Jamal Ouariachi, 2020.